Pas denoncimit të skandalit në lidhje mos ofrimin e ndihmës në kohë të 27 vjeçarit nga Kavaja, ka reaguar edhe Urgjenca Kombëtare.
Në këtë reagim pretendohet se të riut të prekur nga COVID 19 i është ofruar ndihmë në kohë pas dy telefonatave që ai ka bërë pasditen e datës 21 korrik.
Dhe për të përforcuar këtë Qëndra Kombëtare ka publikuar edhe foto nga sistemi për lëvizjen e ambulancave, duke pranuar që ai nuk është marrë për tu transportuar menjëherë për në spital, por i është dhënë ndihmë në kushte shtëpie.
Por pas alarmimit të familjarëve dhe vijimit të gjendjes së përkeqësuar, mjekët janë rikthyer sërish dhe këtë herë me mendje të ndryshuar duke vlerësuar që nuk mund të kurohej në shtëpi siç kishin argumentuar vetëm 2 orë më parë, por e kanë marrë për ta transportuar për në Spital.
Por përtej veprimeve të mjekëve pasi kishin shkuar në banesë, ajo që denoncohet si skandal është fakti që ky reagim është gati 48 orë pas telefonatës së parë refuzuese ndaj të riut që humbi jetën.
SYRI TV disponon prova të plota se familjarët dhe vetë viktima kishin më shumë se dy ditë që telefononin numrin 127, por prej aty merrnin përgjigje refuzuese.
Nga dokumentet ekskluzive që SYRI TV ka, rezulton se tampon 27-vjeçari i është bërë në datën 18 korrik dhe emri i tij rezulton edhe në listën që i është dërguar Komitetit të Ekspertëve si pozitiv me COVID 19.
Një ditë më pas kanë filluar peripecitë e kësaj familje dhe telefonatat në drejtim të urgjencës. Kjo konfirmohet edhe më tej nga mesazhi lutës që familjarët i kanë dërguar kryeministrit Edi Rama.
Mesazhi është i datës 21 Korrik dhe mbi 4 orë përpara se Urgjenca Kombëtare të denjonte të jepte përgjigje pozitive. Në këtë mesazh familjarët ankohen se marrin vazhdimisht 127-ën por nuk i japin zgjidhje.
Pra provat që dalin në dritë rrëzojnë pretendimin e Urgjencës se nga ana e viktimës dhe familjarëve janë bërë dy telefonata dhe ndaj tyre ka pasur një gatishmëri të menjëhershme. SYRI TV ka tentuar që në momentin e parë që të marrë një reagim nga ana e Urgjencës Kombëtare duke telefonuar edhe kreun e Urgjencës Skënder Brataj, por përgjigja e tij ishte negative për një prononcim me argumentin se nuk është fare në dijeni të rastit.
Le të shpresojmë që në vijim Urgjenca Kombëtare do të publikojë edhe informacionin e saktë se sa herë ka telefonuar viktima dhe familjarët e tij deri në momentin që I është ofruar ndihma pasditen e 21 Korrikut, por që rezultoi se ishte tepër vonë
@syri.net