Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” i ka dalë në krah grupit radioteleviziv “Ora”, duke evidentuar nën rrezik linjën kritike redaksionale dhe pavarësinë e gazetarëve tani që dy televizionet janë në administrim të posaçëm shtetëror.
Organizata ndërkombëtare për lirinë e medieve, Reporterët pa Kufij, ka reaguar për situatën e krijuar me dy televizionet “Ora” dhe “Ora News” duke apeluar autoritetet shqiptare të respektojnë linjën kritike dhe pavarësinë e gazetarëve të tyre.
Me një vendim të 3 gushtit, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sekuestrimin provizor të dy televizioneve dhe vënien e tyre nën administrimin shtetëror.
Me një deklaratë për shtyp, organizata ndërkombëtare e medieve njoftoi se “Ora” dhe “Ora News” në mënyrë të përsëritur kanë qenë pre e tentativa për bllokim për sa i përket transmetimit të lajmeve kritike ndaj pushtetit lokal dhe kryebashkiakut të saj, Erion Veliaj.
Organizata renditi episodet e muajve të fundit ndaj kryebashkiakut Veliaj për kërcënimet me shkarkim nga puna të punonjësve të bashkisë të afërt me pronarin e grupit televiziv “Ora”, pagesat ndaj portaleve opozitare për të ndalur lajmet negative dhe penalizimin shtetëror të televizioneve “Ora” për praninë e disa të ftuarve në studio në kohë pandemie.
Kryeredaktorja e “Reporterëve pa Kufij”, Pauline Adès-Mével, tha se pluralizmi mediatik dhe pranimi i pikëpamjeve kritike është thelbësor kur na ndajnë pak muaj nga fushata elektorale e 2021-it.
“Proceset gjyqësore kundër pronarit të medieve nuk duhet të kërcënojnë linjën redaksionale dhe pavarësinë e gazetarëve. Teksa afrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së ardhshme, është më esenciale se kurrë që autoritetet të respektojnë pluralizmin mediatik dhe të lejojnë shprehjen e të gjitha pikëpamjeve, edhe atyre më kritike.”
Shqipëria renditet e 84-ta për sa i përket i lirisë së shtypit, duke humbur këtë vit 2 vende të tjera mes 180 shteteve të botës për shkak të kontrollit të pareshtur të qeverisë për t’i kontrolluar mediet vendëse, duke krijuar një klimë pasigurie dhe intimiduese për gazetarët.
Reagimi i fundit i Reporterëve pa Kufij i bashkohet organizatave të tjera simotra në Shqipëri të cilat po ashtu e kanë dënuar presionin policor dhe politik të shtetit ndaj dy televizioneve “Ora” dhe “Ora News”.