Il fatto quotidiano ka publikuar pamjet nga ajri të asaj çfarë po ndodh në Kakavijë ku mijëra shtetas, kryesisht shqiptarë presin në radhë kilometra të tëra për të kaluar në Greqi.
“Mijëra shqiptarë që punojnë në Greqi mbetën të bllokuar në kufi ndërsa përpiqeshin të hynin në vend përpara se të hynte në fuqi detyrimi për të paraqitur një test negativ për koronavirusin. Kështu raporton policia shqiptare. Në pikën kufitare të Kakavijës, në jug të Shqipërisë, u krijua një radhë prej 20 km me mbi 4000 vetura, për shkak të masave të reja të shpallura nga Athina. Nga 16 gushti, në fakt, një maksimum prej 750 personash në ditë do të lejohen të hyjnë nga Shqipëria nëse janë të pajisur me një test negativ Covid-19 të kryer 72 orë para mbërritjes së tyre. Dhe në fund, ata do të duhet të kalojnë një javë në izolim”, shkruan Il fatto quotidiano teksa publikon pamjet me dron të ANSA-s
Janë disa mijëra shqiptarë që punojnë në Greqi, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe që kthehen në vendin e tyre gjatë verës, shkruan më tej media italiane.
“Ministria e Jashtme shqiptare tha në një deklaratë se autoritetet greke janë impenjuar të shpejtojnë procedurën aktuale në kufi, duke shkuar nga 200 në 300 testime në orë. Situata e koronavirusit është përkeqësuar edhe në Shqipëri në 24 orët e fundit, me një numër rekord prej 154 infeksionesh. Më shumë se 210 njerëz kanë vdekur në vend për shkak të Covid-19 që nga fillimi i epidemisë. Mjekët paralajmërojnë një valë të dytë të epidemisë, ndërsa autoritetet shprehin keqardhje për mosrespektimin e masave të sigurisë nga ana e popullsisë”, shkruan Il fatto quotidiano.