Kur në Shtëpinë e Bardhë kishin nisur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, makineria propagandistike e Beogradit u vu në lëvizje.
Një ministër tha se në tryezën e palëve është vendosur një dokument, ku mes të tjerash parashikohet edhe njohja reciproke mes dy vendeve.
Pak minuta më vonë, mediat e Serbisë raportuan njëzëri se dokumenti në fjalë parashikon në pikën 10 njohjen e ndërsjellë.
Raportimet folklorike vazhduan sidomos pas publikimit të dokumentit, kur u mësua se ishte vetëm një marrëveshje me natyrë ekonomike.
Vuçiç dhe mediat pranë tij raportuan se ai ‘kishte luftuar ashpër’ për të hequr nga dokumenti pjesën ku flitej për njohjen reciproke.
Por e vërteta është se në pikën 10 nuk ka pasur diçka të tillë, thjesht është luajtur me fjalët.
Në këtë pikë thuhet: “Palët angazhohen për njohjen reciproke dhe mbrojtjen e minoriteteve...”
Gjithsesi teksti duket pak ambig, por sërish nuk është fjala për njohjen mes shteteve, por njohjen reciproke të minoriteteve dhe mbrojtjen e tyre.