Shpërndarja e lëndëve narkotike në doza të vogla është kthyer në një fenomen të zakonshme në çdo lagje të kryeqytetit dhe jo vetëm. Në disa zona ka një organizim të ndarë mes grupeve, ndërsa disa të tjera droga shpërndahet nga individë të pavarur. Shumë prej shpërndarësve janë arrestuar dhe kanë përfunduar në gjykatë, por për avokatët thonë se ligjet kanë mangësi ndaj duhet të shtohen dispozitat që i përgjigjen më mirë kësaj kategorie krimesh duke individualizuar përgjegjësinë sipas fajit.
Shpërndarja e lëndëve narkotike është kthyer në një fenomen shqetësues gjithnjë në rritje në kryeqytet, ku në çdo lagje veprojnë grupe personash që shesin dozave të vogla me kanabis.
Sipas policisë së Tiranës, zonat më problematike janë Lapraka dhe ish-parku i autobusëve, për të vijuar me periferinë e Saukut, disa rrugica në zonën e ish-Stacionit të Trenit, me Don Boskon.
Kanabisi dhe lëndë të tjera narkotike shpërndahen dhe Kombinat e Astir, Qytetin Studenti dhe pranë fushave të Ali Demit.
Grupe të vogla personash që shpërndajnë drogë janë konstatuar dhe në zonën e Kinostudios apo Liqenit Artificial.
Shumë prej të arrestuarve kanë përfunduar në dyert e gjykatës ku kanë marrë dënime të lehta.
Por avokatët thonë se ligji aktual ka mangësi dispozitash. Avokati, Saimir Vishaj, thotë për Ora News se duhen përcaktuar dënime sipas sasisë me të cilën kapen këto persona.
Vishaj: Në asnjë vend të botës nuk ka kaq pak dispozita në kodin penal ku nuk përcaktohet sasia dhe lloji. Nëse bëhet fjalë për kanabis sativa që është nga drogat më të lehta nuk e kanë ndarë se cili është porcioni që një përdorues mund ta mbajë me vete.
Avokati Vishaj shprehet se një formë dënimi për shpërndarësit me doza të vogla droge mund të ishte dhe gjoba, apo heqje lirie deri në 6 muaj.
Vishaj: Kemi shumë me doza të vogla me droga të forta si kokainë dhe heroinë. Me një gram mund të dënohesh me një gjobë, 6 muaj apo 1 vit burgim por jo të fillosh me 5 vjet burg.
Sipas policisë, gjatë vitit 2020 policia në gjithë territorin ka arrestuar 74 persona që janë konstatuar duke shpërndarë kanabis, heroinë, apo dhe kokainë.
Krahas tyre janë shpallur në kërkim 6 persona si organizatorë të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe janë proceduar 17 të tjerë, të cilët janë kapur duke blerë lëndën e jashtëligjshme.