Bien rastet e reja pozitive me COVID-19. Prej gati një jave, kurba e infeksionit ka ardhur në rënie, duke shtruar pikëpyetjet mbi arsyet e mundshme, shkruan Panorama.
Të martën, nga më shumë se 2400 testime të kryera, kanë rezultuar të infektuar 389 persona, ose rreth 16 për qind e të testuarve. Një raport tejet i ulët, duke pasur parasysh që përgjatë nëntorit dhe në fillim të këtij muaji shkalla e infeksionit shkoi mbi 35 për qind. E thënë ndryshe, 35 për qind e të testuarve rezultonin të prekur nga COVID-19.
Por dyshimet për këtë rënie të kurbës janë shtuar edhe më tepër pas lajmit të djeshëm të publikuar në “The Guardian” mbi testet e shpejta të antigenit.
Ekspertët e shëndetit publik britanik kanë ngritur shqetësimin për saktësinë e rezultateve. Kjo ka bërë që qeveria në Britani të tërhiqet nga plani për t’i masivizuar ato.
Në vendin tonë, testet e shpejta kanë nisur të kryhen në javën e dytë të dhjetorit dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në harkun e 2 javëve janë kryer rreth 12 mije teste. Në fillim të kësaj jave, testet e shpejta janë shtrirë në 6 qendra shëndetësore, duke fituar edhe më tepër terren.
Por shqetësimi i ngritur në Britaninë e Madhe duhet të jetë një kambanë alarmi edhe për autoritetet në vendin tonë, pasi, për shkak të pasaktësisë, këto teste mund të japin të dhëna artificiale duke e bërë edhe më të paqartë situatën.
Nga ana tjetër, frika nga festat e fundvitit ka bërë që qeveria për një periudhë 2-javore të ashpërsojë masat anti-Covid. Kështu, liria e lëvizjes pa autorizim deri në datën 4 janar do të jetë deri në orën 20:30.