Nga DW-
Nënpresidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi të hënën se nuk duhet rënë në vetëkënaqësi në lidhje me pandeminë COVID-19 pasi varianti shumë infektues Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi, vazhdon të përhapet në kontinent.
Gjatë një takimi të një komisioni parlamentar të Bashkimit Evropian, nënpresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas tha se një udhëzim i fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregon se varianti Delta pritet të përbëjë 70% të të gjitha rasteve të reja në Evropë deri në gusht dhe 90% deri në fund të atij muaji.
Ai tha se skenarët e ECDC-së sugjerojnë se lehtësime të mëtejshme të kufizimeve të sigurisë së koronavirusit do të çonin në “një rritje të konsiderueshme të rasteve ditore në të gjitha grupmoshat me një rritje të shtrimeve në spital dhe ndoshta vdekjeve.”
Zoti Schinas shtoi se ai kishte dyshime në lidhje me vendimin që stadiumi Wembley i Londrës të mbante ndeshjen gjysmëfinale ose finale të kampionatit evropian të futbollit me kapacitet të lartë. Ai tha se duke pasur parasysh kufizimet e udhëtimit të Britanisë në lidhje me Evropën, “duhet të ketë një simetri mes këtyre vendimeve.”
“Mendoj se UEFA do të bënte mirë të analizonte me kujdes vendimin e saj,” shtoi ai.
Qeveria britanike ka thënë se stadium Wembley do të lejohet të zhvillojë gjysmëfinalet dhe finalet e Euro 2020-ës me të paktën 60,000 tifozë. Ministri i ri britanik i Shëndetësisë, Sajid David i tha Parlamentit të hënën se ai nuk sheh ndonjë arsye që qeveria të mos vazhdojë me planin e saj për të hequr të gjitha kufizimet në vend deri më 19 korrik