Serbia ia kalon edhe Shqipërisë, rikthehet të 'pushtojë' Kosovën me mallra

Diel, 12 September 2021 09:33

 

Mallrat e Serbisë vështirë se mund të largohen ndonjëherë nga Kosova. Madje prania e tyre vetëm sa është shtuar në muajt e verës së këtij viti, duke u bërë sërish partneri kryesor i Kosovës nga vendet e rajonit, pas rënies së fortë në 2019-n. Dogana dhe Agjencia e Statistikave thonë se Serbia kishte në 6-mujorin e parë të këtij viti pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë, duke lënë pas edhe Shqipërinë. Por, ndryshe qëndron situata me mallrat e eksportuara.

Nga Fatos Shala

 

Shqipëria dhe Serbia vazhdojnë të jenë në “luftë” për të marrë sa më shumë treg të Kosovës me produktet e importuara. Mirëpo, edhe pas shumë vitesh, fituese e kësaj “lufte”, është rikthyer sërish Serbia. Në 6 muajt e parë të këtij viti, qytetarët e Kosovës dhe bizneset po blejnë më shumë mallra e produkte nga Serbia sesa nga Shqipëria.

 

Pas një rënieje të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, Serbia kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Image

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se Serbia kishte pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës. Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e parë, kurse Shqipëria, e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut, 5.2%. Importet nga vendet e CEFTA-s në periudhën janar-qershor 2021, arritën në 390 milionë euro, ose 19% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67%.

Nga Serbia, importet u rritën me 143%, nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%. Agjencia e Statistikave thotë se nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe, apo 17%, ndjekur nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, me 13.4%.

“Kurse, 13.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9% e përbëjnë mjetet e transportit, 8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.4%, plastika, goma dhe artikujt prej tyre”. Partneri kryesor i Kosovës për importet vijon të mbetet Gjermania (14.2%), e ndjekur nga Turqia (12.9), Kina (9.2%) dhe më pas Serbia (6.4%)

Image

Çfarë po e pengon Kosovën e Shqipërinë të bëjnë tregti

Ndër pengesat kryesore të identifikuara deri më tani kanë të bëjnë me dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e Shqipërisë; pagesa për skanim të mallrave në Portin e Durrësit, pavarësisht destinacionit final; tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare e shumë të tjera.

Sipas një studimi nga Instituti GAP, me titull “Potenciali tregtar Kosovë – Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, në mars të këtij viti, ka rezultuar se megjithëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve tregtare mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shfaqen ende pengesa të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje, edhe pse pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës ka potencial për rritje të bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë.

Në anën tjetër, janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e bëjnë të pamundur shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa, sipas studimit, janë kryesisht të karakterit teknik, por në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore.

Ndërkohë, edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, kishte vlerësuar se eksportet e të dyja vendeve janë vështirësuar, për shkak të burokracisë dhe të fuqive të disa korporatave të mëdha që i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës.

“Prodhuesit mes vete kanë disa probleme që i përdorin dhe në këtë mënyrë po bëhet edhe më problematike dhe e pajustifikueshme bartja e disa mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Disa produkte kanë probleme të vijnë në Kosovë nga Shqipëria, dhe disa të tjera kanë probleme të shkojnë në Shqipëri. Produktet, të cilat hasin më së shumti në barriera tregtare në tregun shqiptar, janë kryesisht ato produkte me përmbajtje bimore dhe shtazore, të cilat Kosova i ka me bollëk”, thonë nga AKB-ja. Edhe pse sipas tyre, nuk ka vështirësi shumë të mëdha, pasi 98% e tregut është i liberalizuar në të dyja vendet.

Kurse Oda Ekonomike e Kosovës tha se pengesat më të shumta për eksportuesit e Kosovës kanë të bëjnë kryesisht me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, përkundër marrëveshjeve të shumta që kanë mbetur ende pa zgjidhje.

“Kryesisht janë probleme që lidhen me barriera jotarifore, të cilat vazhdimisht hasen në tregun e Shqipërisë, të cilat nuk kanë marrë zgjidhje pavarësisht edhe shumë marrëveshjeve dhe diskutimeve, apo edhe si të themi vullnetit të shprehur së paku gojarisht. Tash, problemet lidhen me çështje që kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave të ndryshme, testeve të ndryshme laboratorike, pastaj diskriminimeve të caktuara për produkte të caktuara”.

Deri më tani, llogaritet se mbi 70 marrëveshje tregtare janë nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, por mbi 50% prej tyre mbeten ende të parealizuara.

Eksport me Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë

Kosova me vendet e CEFTA-s eksporton më shumë mallra në Shqipëri. Në periudhën janar-qershor 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 129 milionë euro, me rritje 31%. Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s përbënin 37.5% të eksporteve të përgjithshme. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende në raport me totalin ishin Shqipëria me 15.3%, Maqedonia e Veriut me 11.5%, Serbia me 5.6%.

Shqipëria është destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës. Në periudhën janar-qershor, eksportet drejt Shqipërisë ranë gjithsesi me 10% në krahasim me 6-mujorin e parë 2020.

Image

Sipas ASK-it, në total “38% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.1% e përbëjnë produktet minerale, 5% e përbëjnë produktet bimore dhe 3.6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike”, thuhet në raport. Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat vendore gjatë vitit të kaluar me atë të vitit 2019, shihet se ka një rritje vjetore për 23.8%.

“Eksportet sipas sektorëve në këtë vit kishin rritje në artikuj të ndryshëm të prodhuar në vlerë rreth 49.7 milionë euro; produkte të industrisë kimike në vlerë rreth 18.7 milionë euro; produkte bimore në vlerë rreth 31.7 milionë euro; tekstil dhe artikuj tekstili në vlerë rreth 15.2 milionë euro; metalet bazë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 173.9 milionë euro; mjetet e transportit në vlerë rreth 5.1 milionë euro; artikuj prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi, në vlerë rreth 10.4 milionë euro; makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, në vlerë rreth 20.3 milionë euro; plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 57.1 milionë euro; ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan në vlerë rreth 43.5 milionë euro; letër dhe artikuj prej letre, në vlerë rreth 4.5 milionë euro”, thuhet në raportin “Tregtia e jashtme e Kosovës, viti 2020”,

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Europian arritën në 163.4 milionë euro, ose rreth 34.4% e eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 28.5%. Në vitin 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 210.7 milionë euro, ose 44.4% të eksporteve të përgjithshme ku kishte rritje prej 27.8%. Për sa u përket eksporteve të Kosovës me vendet e treta, për vitin 2020 kanë arritur në 100.6 milionë euro, ose një rritje prej 21.2%.

Image

Dogana: Ka rritje tek importi i mallrave nga Serbia

Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 819 milionë euro, ose mbi 30% më shumë se në vitin 2020. Përkundër masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nga Qeveria, Dogana parashikon të mbledhë 1.3 miliardë deri në fund të vitit. Në Doganë thonë se në periudhën janar-gusht 2021 kanë arkëtuar rreth 200 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

“Deri tani kemi mbledhur 819 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kur kishim të njëjtën periudhë kanë qenë 621 milionë euro ose 31% më shumë. Por, 2020 ka qenë vit i pandemisë dhe krahasimi nuk mund të jetë edhe aq real kur ekonomia ka qenë e mbyllur. Mirëpo, nëse shikohet me vitin 2019, për atë periudhë, sërish jemi 15% më shumë se viti 2019. Besojmë që deri në fund të këtij viti, Dogana do të arrijë rekordin dhe do të kalojmë 1.2 miliardëshin, në 1.3”.

Shpresëdhënëse për ekonominë e vendit pritet të jetë edhe rritja e eksporteve në 120% për këtë vit, ku deri në fund të vitit 2021 pritet të arrijnë 650 milionë euro.

Mirëpo, sipas Doganës, krahas saj ka shënuar rritje edhe importi i mallrave nga Serbia vitet e fundit. “Në aspektin e eksportit, ne presim që ky vit të jetë historik për Kosovën që të kalohen… 650 milionë euro mallra të eksportuara që konsiderohet një prej zhvillimeve më pozitive. Sivjet kemi parë, për dallim nga vitet e fundit, një rritje të eksporteve, i cili nënkupton që produktet e gatshme, të cilat përfundojnë direkt te konsumatori në të gjitha vendet e ndryshme të botës, prandaj kjo ka ndikuar për më shumë të hyra për eksportuesit. Eksporti i Kosovës është kryesisht në vendet e BE-së, si në Gjermani dhe Zvicër, Britani e Madhe dhe ShBA. Ka një kohë që ka rritje të importit nga Serbia”.

Ecuria e tregtisë

Nga viti 2010 e këndej, Kosova mesatarisht importoi çdo vit rreth 744 milionë euro nga vendet anëtare të CEFTA-s. Në anën tjetër, 134.4 milionë euro rezulton të jetë vlera mesatare e eksportit që Kosova u shiti këtyre vendeve çdo vit.

Vlera më e lartë e importit të Kosovës evidentohet në vitin 2017 me 856.1 milionë euro, ndërsa vlera më e ulët është ajo e vitit 2019, me 502.7 milionë euro. Ndërsa vlera më e lartë e eksportit të Kosovës regjistrohet në vitin e kaluar, me 210.7 milionë euro dhe vlera më e ulët e evidentuar e eksportit të mallrave drejt CEFTA-s, ishte mbi 66.8 milionë euro në vitin 2010. Për më shumë se një dekadë, shkëmbimi i përgjithshëm i mallrave të Kosovës me vendet anëtare të CEFTA-s rezulton të jetë mbi 8 miliardë euro për import dhe mbi 1.4 miliardë euro për eksport.

Serbia për më shumë se dhjetë vjet, Kosovës i shiti mallra çdo vit mesatarisht rreth 294.2 milionë euro, ndërsa nga Kosova bleu mesatarisht mbi 25.5 milionë euro. Vlera më e lartë e importit nga Serbia e regjistruar nga viti 2010 e këndej evidentohet në vitin 2017, me mbi 449.9 milionë euro, apo rreth gjysmë miliard euro, ndërsa ajo më e ulët u evidentua në vitin 2019, në rreth 5.8 milionë euro.

Rënia drastike e importit nga Serbia, në vitin 2019 ishte si rezultat i vendosjes së taksës 10% e më pas 100% nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, e cila më pas u hoq nga Albin Kurti sa ishte kryeministër në detyrë, ku njoftoi se do ta heqë taksën 100% nga data 1 prill e atij viti për ta zëvendësuar me reciprocitet.

Për shkak të mospranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntorin e vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë doganore, fillimisht 10% dhe më pas 100%, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina.

Nga qeveria pasuese, e udhëhequr nga Kurti, më 31 mars, 2020 taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë, gjë që nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkim Europian. Heqja e kësaj mase ishte vendimi i parë i pasardhësit të Kurtit, Avdullah Hotit, i cili e hoqi reciprocitetin më 6 qershor, gjë që mundësoi rinisjen e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011, janë arritur një sërë marrëveshjesh, duke filluar nga lëvizja e lirë e njerëzve e mallrave deri te njohja e targave të automjeteve.

Kompanitë e Kosovës jo rrallëherë kanë pasur vështirësi që të transportojnë mallrat e tyre në Serbi, për shkak se autoritetet, ose nuk ua kanë njohur targat e makinave, por edhe kanë pasur probleme me njohjen e dokumentacionit të mallrave, ku figuron termi “Republika e Kosovës” si dhe vulat e lëshuara nga Kosova.

Në vitin 2019, Serbia, për shkak të vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës kishte eksportuar mallra në vlerë afër 5 milionë euro, sipas Doganave të Kosovës, por, para vendosjes së kësaj takse në nëntor të vitit 2018, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë në një vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit. Taksa ndaj produkteve me orgjinë nga Serbia është hequr nga Qeveria e Kosovës në prill të vitit të kaluar./Monitor/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...