Nga Apollon Baçe
Ditë më parë, në një emision televiziv u shpreha se Shqipëria për 2/3 vjet zhbëhet. Kundërshtinë sprovova ta shpjegoj me treguesit socialë dhe ekonomikë, më mjeranët në rajon, në Europë po se po dhe nja dy më mjeranët në botë. Që nga rrogat më të, deri 1.76 herë më pak se Bosnja e cila 9 vjet para ishte dukshëm më poshtë, tek borxhi mbytës (teorikisht 83 % e GDP, realisht mbi 125 %,). Që nga vjedhja thuaj 1/2 miliard euroshe e incineratorëve të padobishëm, tek çmimi i rrugëve 3,8 herë më i lartë se në Angli. Që nga indikatori i korrupsionit në Europë, më i larti në Europë, në nivelin e Papuas dhe Eswatini, tek çmimi më i lartë në botë i naftës në raport me fuqinë blerëse. Me pasojë shpopullimin galopant.
Nëse në harkun kohor 2016-2021 nga Shqipëria u larguan 225 mijë shqiptarë dhe përderisa lindjet janë më të pakta se vdekjet, në vitin 2088’ kazani 2.83 milionësh shqiptar thahet përfundimisht. Gjuhë nacionale e Shqipërisë do jetë bengali, bangladesçja. Në skeçin Shtjefni, pronari Shtjefën recitoi “po plasi tu kërku puntor e s’ vjen kërkush. I kam porosit nja 300 synesh n’ Bangladesh”. Për çka Rama ju përgjigj “7 ditë është procedura për të marrë punëtorë nga Bangladeshi. Por kur të fillojnë të mësojnë shqip, ndërroji se u hyn krimbi, jo demokracia, jo liria.” Delja, qoftë rudë shqiptare a kashmirase bangladeshase, ka të drejtë të blegërijë, por jo ti shkojnë në mënd fjalë turpet liri-demokraci. Ndërkohë shumë më i dhimbshëm është dekompozimi moral.
Nuk gjykoj me termat shqiptar a kosovar, por me termin Kombi Shqiptar. Dy vjet më parë, kur vizitova në Prishtinë ekspozitën “kurrë mos qoftë” dhe pashë këpucët e vogla, djepet e zbrazët, fletoret dhe lodrat e 1133 fëmijëve shqiptarë të kositur nga milicia serbe, mu këput fryma. Fryma mu këput edhe kur dëgjova Kryeministrin e Shqipërisë të shqiptojë “mjaft më me ke qenë atje dhe ke vrarë këtë, atje ke therur atë, këtu ke hedhur në erë këtë.” Krejt ndryshe, fill pas Srbrenicës, ministri i informacionit, “vëllai Vuçiç” i Ramës, u thoshte boshnjakëve “vratë një serb, 100 myslimanë do vrasim”. Dhe më tej vijonte me fjalinë “Kriminelët si Klinton dhe Bler nuk mund ti ketë lindur ndonjë nënë. Krahasuar me ta Hitleri ishte një vogëlush.”
Pas udhëzimit të Ramës për të harruar idiocitë “ke vrarë këtë, ke therur atë, ke hedhur në erë këtë”, grigja e majtë i rrëzoi në unison në kuvend rezolutat kundër masakrimit të 17.048 kosovarëve dhe boshnjakëve, ndër to edhe të 1133 fëmijëve të Kombit Shqiptar, çka zv. Kryetarja Felaj e shpjegoj drejt e pa hile: “Nuk e dënojmë genocidin serb, pasi prish imazhin e Ballkanit të hapur.”
Kjo dhe është dekompozimi qelizor moral, dekompozimit i cili bjerr fjalët turp, ndjenjë humane deri dhe fjalën njeri. Që i kthen në portokalle mekanike baballarët dhe mamallaret e majta të Kombit. Pa as edhe një përjashtim. Për fat të keq të zgjedhur nga Kombi për të keqen e Kombit.
Në vështrim të parë, dukuritë e mësipërme janë rastësore, të pa ndërvarura, por sipas Teorisë së Kaosit të Lorencit, të njohur edhe si butterfly effect, “fenomenet në shikim të parë pa lidhje me njëra tjetrën, ndjekin modele të sprovuar që vetorganizohen gjatë rrugës”. Parë nga afër, sipas “Antropologjisë sociale të shkencës së kaosit”, “kur shteti është qëllimisht kaotik, ndonëse ndërveprimet brenda sistemit janë të paparashikueshme dhe në dukje rastësore, vetë sistemi lëviz drejt një objektivi të paracaktuar.”
Drejt cilit objektiv po lëviz Shqipëria ? Kush e përcaktoj trajektoren e lëvizjes drejt këtij objektivi të paracaktuar ? Shprehja “Nuk e dënojmë genocidin serb, pasi prish imazhin e Ballkanit të hapur” është rastësore apo programatike ?
Struktura gjenetike e sekteve është krejt e ndryshme nga struktura gjenetike e shteteve. Nëse shtetet shpenzojnë miliarda për të tërhequr shtetet e tjerë në orbitën e tyre, sektet këtë e arrijnë lehtë dhe lirë. Në vitin 1994 më përcollën planin B të sektit të Sajontologëve, të cilët në Shqipëri kishte arritur nivelet e zv. Ministrave, i cili ndër të tjera parashikonte zhvendosjen e kryeqendrës së sektit në Tiranë. Pas botimit u godita për tu vrarë, por ngjarja episodi solli polemika deri në Kongres dhe plani B u anulua. Kjo dhe më njohu nga afër me strukturën gjenetike të sekteve, identike si strukturat e qelizave protoplazmike. Si e tillë, gjenetika Sajantologe e Ron Hubard dhe e Sorosjanëve të Soros është duplikative: rrjet OJF-sh kontrolluese të jetës publike në rolin e bërthamës dhe persona të selektuar, të katapultuar më tej në jetën politike.
Nga viti 92’ e këtej, rrjeti i OJF-ve sorosjane u shtri nga Instituti i Medieve Shqiptare, financues i medies majtiste, tek Komiteti i Shqiptar i Helsinkit, tejet aktiv në çastin kur e djathta ishte në pushtet dhe inekzistent kur e majta është në pushtet, dhe së fundi tek fidanishtja e radikalizmit të majtë, organizata acide Maft. Gjithnjë duke vendosur në krye funksionarë të nomenklaturës komuniste ose pasardhës të nomenklaturës komuniste. “Lidhja e duhur me Partinë Socialiste, e ka dëmtuar besueshmërinë e OJF-ve në Tiranë”, njoftonte raporti vjetor i v. 2017 i kupolës të OSF-ve të Soros. Derivate të kësaj strukture janë Kabinetet Rama, mesatarisht 70 % Made of Soros, që nga drejtorja e tejzellshme Furxhi/Kumbaro e “Programeve Soros”, tek Gent Cakaj i huazuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Kosovën.
Në vitin 1984, kryeqendra e Open Society Foundations (OSF) të Soros ishte vendlindja e Georg Soros, Budapesti. Por pas dëbimit të tij në vitin 2018 nga kryeministri Orban, sipas tij për shkak të “komploteve politike”, selia qendrore kaloj në Beograd. Kjo dhe e ktheu Beogradin në metropolin sorosian të hartimit të programeve eksperimentalë dhe implementimit të tyre. Ndër to dhe reformës shkatërrimtare të drejtësisë shqiptare, saldimit të pa shqitshëm të Ramës me ministrin e informacionit dhe mbrojtjes Aleksandër Vuçiç (1998-2014) dhe programimin e konfederatës Отворени Балкан/Open Balkan.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Soros u shpreh “ajo që thyhet s’ngjitet më, rajoni duhet të jetë më i madh se ish-Jugosllavia duke përfshirë Shqipërinë dhe Bullgarinë.” Shprehja vijuese “Edhe pas përjashtimit të Kosovës, popullsia e ish Jugosllavisë mbeti 75% serbe,” tregon se për kryeqendër të kësaj konfederateai kishte piketuar Beogradin.
Vuçiç mburret se ideja e Open Balkan është e tija, Rama mburret se ideja e Open Balkan është e Vuçiçit dhe e tija, Kovaçevski mburret se ideja e Open Balkan është e Vuçiçit Ramës edhe e tija. Ndërkohë ideja, ndonëse tejet e pëlqyer nga Lavrovi rus, Vuçiçi serb dhe Rama jo dhe aq filoshqiptar u riservir nga Soros. Fakti se nga 7 fondacionet e Open Society në Europë 5 ndodhen në Ballkanin perëndimor (Beograd, Tiranë, Prishtinë, Sarajevo, Shkup) dhe vetëm dy jashtë tij (Londër dhe Berlin, përjashtuar Madridin e BE), dëshmon ngulmimin dhe nxitimin e Soros për krijimin e Konfederatës të Ballkanit të Hapur.
Titulli i filmit “Cili jeni ju Mr. Sorge ? ”, i shkonte mjaft për shtat pyetjes “Cili jeni ju Mr. Soros ?”.
Për Kryeministrin Hungarez Viktor Urban, Soros është “ustai i kukllave politike” (political puppet master)”. Dmth fije-tërheqësi i kukullave politike.
Për presidentin e shkuar sllovak Jan Slota Soros është personi që solli “para të pista për të blerë parlamentin dhe kurdisur grusht-shtetin parlamentar.”
Për Kryeministrin Malajzian Mahathir bin Mohamad, “izraeliti Georg Soros shkaktoi krizën e monedhës malajziane”
Anasjelltas për Ministrin e Jashtëm izraelit Israelit Yisrael Katz “Sorosi është minuesi i vazhdueshëm i tërë qeveritë demokratike të Izraelit.”
Së fundi për kryemjeshtrin, majorin e dikurtë të KGB-së Putin, “Soros nuk lë vend në botë pa futur hundët.”
Polloni i Hamletit të Shekspirit nuk e këshillon të birin ki kujdes në zgjedhjen e miqve, por i thotë “ki kujdes në zgjedhjen e armiqve.” Nuk e di si nëse Berisha bëri mirë a keq që zgjodhi armik pikërisht këtë personazh, por edhe unë po të kisha qenë në vendin e tij do veproja njësoj kundër atij që kërkon të më shkatërrojë Kombin.
Si historian jam nisur kurdo nga faktet për të nxjerrë konkluzionin dhe jo nga konkluzioni për të kërkuar faktet. Si të tillë këmbënguljen e pafund prej zogu papagall se Berisha u shpall non grata nga sekretari Blinken, ndryshe nga rastet e tjera pa sjellë asnjë provë, e rendis në kategorinë përgojim. Dhe këtë për tërë spektrin, që nga personazhi Balla i Animal Farm të Orwell-it, tek personazhi Albeja që pyet me elegancë Ramën “po ata non grata-t e tuaj i harrove”, nga përfaqësuesja Kim e SHBA tek funksionari i DOS me emrin bizar Eskobar. “Asnjë shtetas nuk ka të drejtë të më shfaqet në ëndërr, ai që shfaqet ekzekutohet” i lajmëronte shtetasit mbretëresha afrikane. Problemi është si mund ta vërtetonin shtetasit që nuk i kishin dalë asaj në ëndërr.
Pyetja e ime është nëse amerikanët kërkojnë prova nga Blinkeni për të besuar drejtësinë e sanksioneve të tija kundër Berishës, përse unë duhet që ti pranoj symbyllur këto sanksione ?Ashtu si besimtari që pranon pa asnjë mëdyshje Talmudin, Biblën a Kuranin.
Sipas ish drejtorit në detyrë të Inteligjencës Kombëtare Richard Grenell “Shtetet e Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë një komb i qeverisur nga ligji dhe arsyeja… Kongresi duhet ti kërkojë Blinkenit nëse ka prova. Personalisht nuk kam parë asnjë provë… dhe sanksionet pa prova, shërbejnë vetëm për të minuar besueshmërinë e SHBA-së.
Sipas anëtarit të Komisionit të Kongrsit për Marrëdhëniet me Jashtë Lee Zeldin, “Sanksioni kundër ish presidentit Berisha u fanit nga hiçi… Për muaj të tërë Departamenti i Shtetit refuzon të japë përgjigje reale dhe të detajuara për “korrupsionin e rëndësishëm” të ish-presidentit shqiptar, duke kërcyer valle rreth pyetjeve… Kjo është e dyshimtë dhe e papranueshme.”
Sipas Washington Free Bacon, të dhjetorit të shkuar, “një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili kërkoj që të mbetet anonim, i tha gazetës tha se Blinken ka informacione të besueshme për korrupsionin madhor të Berishës, i cili edhe sot e kësaj dite vibron në Shqipëri dhe mbarë rajonin… (Në dëshmi të kësaj) zyrtari citoi raporte të “OJQ-ve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”
Por krejt ballor është New York Post-i (NYP) me 70 milion klikime në vit dhe tirazh 276 mijë kopje: “Njolla lemerisëse e Antony Blinken mbi Shqipërinë. E gjitha për hesap të Soros” (Antony Blinken’s horrific stain on Albania and it’s all for George Soros, NYP 06. 01, 2022). “Sekretari i Shtetit Antony Blinken po akuzohet për ndërhyrje në zgjedhjet shqiptare në emër të miliarderit George Soros. Sapo nisi detyrën, një nga veprimet e para të çuditshme të Blinken-it ishte sanksionimi i ish kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, kundërshtar i zëshëm i Soros…. Por brenda rrjetit sekret, Antony Blinken ka lidhje familjare dhe financiare me Sorosin… (Prindët e tij), financuan “Vera and Donald Blinken Open Society Archives” që ishte themeluar nga Soros (1995).”
Kjo dhe të shpie në shprehjen e një sekretari tjetër të Departamentit të Shtetit, të Henry Kissinger-it: “Armiqësia me Amerikën është e rrezikshme, por miqësia me të është fatale” (It may be dangerous to be America’s enemy, but to be America’s friend is fatal). Ndërkohë për mua Amerika nuk është as Kissinger, as Blinken, as Juri Kim, as dhe shprehjet e saja alla Servantes “Salla plot tregon sa shumë përkushtohet qeveria kundër korrupsionit, në mënyrë që ajo ja kalon edhe përkushtimit të saj.”
Për mua Amerika është fryma e Kartave të Lirisë (Charters of Freedom), aroma e Fijeve të Barit (Leaves of Gras) të Walt Whitman, trishtimi i Linkolnit, Kënga e Pasme e Hajavathës, Tom Sojerit i Mark Twen, vrulli i ndalur i John Fitzgerald Kennedy, shpëtimi i i Kosovës nga Klintoni. Dhe para së gjithash presidentit Willson që shpëtoj Shqipërinë dhe letra që im atë dhe 8 studentë të tjerë i dërguan para një shekulli: “Ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit duke e ditur me siguri se me ndihmën e drejtë e të ndershme të Zotërisë Suaj shqiptarët do të kenë lejën që të hyjnë ndër Kombet e qytetëruar.”
Titulli origjinal i autorit: 7 Korriku, shqiptarët nuk janë kukulla mekanike
*Apollon Baçe eshte akademik, arkeolog dhe historian i shquar shqiptar