Rishfaqet frikshëm Covid-19 në Berat, rreth 25 raste te fëmijë në javë rezultojnë të prekur nga virusi, njofton SYRI TV. Fëmijët kanë pasur temperaturë të lartë për 4 ditë me radhë. Tre fëmijë nga 0-4 muajsh janë nisur drejt Tiranës,me komplikacione dhe probleme në frymëmarrje.
Pikërisht kur edhe mendonim se virusi Covid-19 po largohej, shumë raste të reja janë rishfaqur në mënyrë të frikshme në Berat.
Virusi ka prekur fëmijët dhe fluksi i të prekurve po rritet nga dita në ditë.
Rreth 25 raste fëmijësh në javë rezultojnë të prekur nga virusi Covid dhe tre fëmijë nga 0-4 muajsh janë nisur drejt Tiranës me komplikacione dhe probleme në frymëmarrje.
Lajmi bëhet i ditur nga Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku.
Mjeku Kumaraku pohon se rastet kanë qenë të shumta dhe në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covid nuk ka shenja të rënda.
Sipas tij, aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët, familjarët e ardhur nga jashtë apo turistët.
"Ka pasur një ecuri në rritje të numrit të rasteve me Covid-19 por rritja e numrit të rasteve nuk duhet të rrisë alarmin por duhet të na bëjë të kujdesshëm dhe t’i ndjekim rastet në shtëpi, - tha mjeku Vladimir Kumaraku.
Çdo ditë regjistrohen nga 3 raste të reja fëmijësh të prekur nga koronavirusi por fatmirësisht graviteti i sëmundjes nuk ka qenë i lartë.
Rastet e fëmijëve të prekur nga Covid-19 po trajtohen në shtëpi, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me mjekun për ecurinë e virusit.
Tre fëmijë të moshave 0-4 muajsh kanë qenë në gjendje të agravuar dhe me probleme respirative dhe janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë.
Rastet kanë qënë të shumta, në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covid nuk ka shenja të rënda.
Aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njrrëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët (familjarët) e ardhur nga jashtë apo turistët.
Numri i vizitave shkon deri në 60 vizita në ditë, ndërkohë që gjatë fundjavës arrin edhe deri në 100 fëmijë.
Ajo që e dallon këtë formë të Covid-it që ka pësuar mutacione të ndryshme është temperatura e lartë që shfaq tek fëmijët, temperaturë që zgjat deri në 3-4 ditë dhe që është e qëndrueshme e që reagon shumë pak ndaj qetësuesve për uljen e temperaturës.
Përveç temperaturës, fëmijët kanë edhe këputje trupore, dhimbje të muskujve e kokës dhe lodhje.
Pas 4 ditësh, temperatura shkon drejt rënies dhe situata klinike e fëmijëve fillon të përmirësohet.
Deri tani ne nuk kemi asnjë të dhënë të saktë në lidhje me komplikacionet apo pasojat që mund të lërë tek fëmijët ky virus por pas trajtimit të rasteve do të kemi të dhëna të mjaftueshme për të dalë edhe në konkluzionet në lidhje me mënyrën e paraqitjes,mënyrën e trajtimit dhe pasojat që mund të lërë”.