Është zhvilluar sot Konferenca Kombëtare e Sportit me temën “Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri”, e cila bashkoi në një panel diskutimi aktorët kryesorë të zhvillimit të sportit, partnerë lokalë e ndërkombëtarë, ekspertë dhe sportistë elitarë e të rinj.
Me shumë panelistëve fjalën e mori edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe njëherazi CEO i SIGAL UNIQA Group Austria, Avni Ponari.
Gjatë fjalës së tij, Ponari foli ndër të tjera për rëndësinë që ka gërshtetimi i biznesit dhe sportit në mënyrë që të dyja të rriten dhe zhvillohen paralelisht.
“Është vërtetë një moment i rëndësishëm për të shprehur disa opinione, në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Është e rëndësishme të themi se, basketbolli është një magji e sportit sepse e tillë konsiderohet.
Sot, basketbolli në të gjithë Europën është në një rritje të natyrshme por nuk është në maja, ashtu siç është basketbolli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë në cilësinë e anëtarit të FIBA Europe për Financat, kam mësuar që thelbi i zhvillimit të sportit dhe kalimi i çdo sporti si një industri zhvillimi, e bën atë shumë të rëndësishëm dhe masiv.
Nëse arrijmë që basketbolli dhe sportet e tjera të garojnë ashtu si futbolli atëherë do të kemi disa lloj industrish shumë të fuqishme, të cilat do ti japin tone të rëndësishme zhvillimit të ekonomisë në vend. Futbolli dihet për pozicionin që ka, ndërsa basketbolli, volejbolli e sporte të tjera ndodhen në faza zhvillimi, të një zhvillimi që vitet e ardhshme do të jetë në maja të larta.
Unë kam filluar herët në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare dhe gjatë kësaj periudhe kemi patur ngjarje shumë të rëndësishme siç ka qenë fitorja e Kombëtares sonë me Kombëtaren e Serbisë, në Lojërat Mesdhetare 2013.Me Kombëtaren e Zvicrës ashtu siç kemi pasur edhe humbje.
Por ajo që është e rëndësishme dhe që duhet theksuar, në zhvillimin e sportit tre janë eksponentët më të rëndësishëm: njeriu, terreni dhe financat. A I kemi të gërshetuara ne këto të treja? A i kemi të lidhura këto së bashku? Kjo duhet parë me kujdes!”, u shpreh ai.
Kreu i FSHB, për të ilustruar idenë e tij, solli edhe dy shembuj. Valbonën në Shqipëri dhe SIGAL Prishtinën në Kosovë.
“Do të sjell dy shembuj. Në vitin 2001 unë mora ekipin e Valbonës. Atëherë ishte me dy veta dhe ndërtova një ekip që për 5 vite i dha tonin basketbollit në Shqipëri. Pra, ishte fitues i Kupës, Kampionatit dhe Superkupës në basketboll. Paga mesatare e një basketbollisti në këtë periudhë kaloi 1000 euro, çka ishte shumë e rëndësishme për të patur basketboll. Dhe ju e dini pse e lashë. Në bashkinë e Tropojës diskutohej a duhej apo nuk duhej ta mbështeste bashkia? Me këshilltarët që shpreheshin “ç’keni? Kush e di sa lekë fiton Avniu nga basketbolli”. Dhe unë atë ditë vendosa ta le. Ju thashë që “nuk dua të fitoj më me Valbonën”, po jua le ju. Dhe fitoni ju. Pas 6 muajsh Valbona nuk ishte më në tregun e basketbollit.
Çfarë ndodhi me Valbonën? Mbështetja financiare shumë e rëndësishme, që të rritej dhe të shkonte aty ku duhej. Së bashku me SIGAL-in, sepse në atë kohë ishte 3-vjeçar e sot është 25-vjeçar. Por nëse do të ecni bashkë ata do të ecnin ndryshe.
E kundërta ndodhi me SIGAL Prishtinën. Fituese e disa Kupave Ballkanike, fituese e disa Kampionateve të Kosovës, fituese dhe pjesëmarrëse në disa gara të rëndësisshme në ligat e basketbollit.
SIGAL Prishtina ishte e mjaftueshme për mua të thirrej e tillë dhe unë nuk kisha nevojë të përdorja fonde për të investuar dhe për të bërë marketing. Por ka një gjë në Kosovë. Kosova ka ndërtuar ligjin që favorizon biznesin dhe duke u rritur të dyja së bashku, edhe SIGAL edhe SIGAL Prishtina arritëm të jemi kampionë edhe në Kosovë, edhe në zhvillimin e biznesit”.
Sipas Ponarit, duke përmendur edhe ngritjen e Ligës Unike, kampionatit të përbashkët Shqipëri-Kosovë në basketboll, gërshtetimi biznes-sport dhe ndërtimi i një ligji themelor për sponsorizimet do ngrejnë cilësinë e sportit por do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Dua të them se ajo që është e rëndësishme dhe thelbësore: nëse biznesi dhe sporti, sporti dhe biznesi rriten së bashku rezultatet janë të padiskutueshme. Shumë të larta. Në këtë pikëpamje doja të thoja se, edhe ky panel është i rëndësishëm sepse është Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe biznesmenë të nderuar sepse mendoj që, biznesi dhe sporti të rriten.
Ne ndërtuam Ligën Unike dhe ajo që ndodhi me të, për pjesën e Kosovës ishte e mahnitshme ndërsa me ne nuk e patëm atë mbështetje dhe përkrahje financiare.
Do të thoja që gërshetimi i këtyre dy sipërmarrjeve, sportit dhe ekonomisë, bëjnë që të rriten së bashku. Sot, emrat më të njohur në sport mbajnë emrat e bizneseve. Prandaj dhe janë shumë të zhvilluara. Qoftë në vendet e Europës dhe ne e dime kush janë. Qoftë edhe në vende të tjera.
Gërshetimi I këtyre të dyjave dhe ndërtimi i ligjit themelor për sponsorizimet do e vendosë Shqipërinë në majat e sporteve. Sepse është e vetmja mundësi, si askund tjetër, ku valëvitja e flamurit ka një forcë dhe magji të jashtëzakonshme. Kjo e bën sportin të domosdoshëm, kjo e bën biznesin të domosdosshëm. Për tu lidhur dhe për tu bashkuar e për të bërë gërshtetimin e dy vlerave mjaft të rëndësishme.
Nëse arrijmë ti gërshetojmë këto të dyja dhe të ndërtojmë një ligj për mbështetjen e sportit ne do të kemi një basketboll dinjitoz, një basketboll në nivelet e përparuara që do të shërbejë më mirë edukimit por edhe zhvillimit të ekonomisë”, u shpreh Avni Ponari.
Sipas Presidentit të FSHB, për shkak të mungesës së financimit shumë talente po largohen ng Shqipëria.
“Sot, ne kemi një gjë që nuk është aty ku duhet. Brezi i ri, për shkak të kësaj mundësie financimi, një pjesë e tyre të largohet. Kemi lojtarë që luajnë në Europë. Madje një prej tyre ndodhet sot me Kombëtaren e Turqisë. Dhe ndoshta shumë shpejt do të jetë në NBA. Lojtar që rastësisht është zbuluar në një nga rrethet e vogla të vendit tonë”.
https://www.youtube.com/watch?v=uGQszwVoqFo&feature=youtu.be