Shoferi tentoi të shmangte gropën, vdesin në aksident tre të rinj. Viktimat, kushërinj me njëri-tjetrin, humbën jetën në një aksident tragjik që ndodhi dje në rrugën drejt Adriatikut në Kurbin.
Makina me të cilën ata po udhëtonin përfundoi në kanal ndërsa po ktheheshin nga Lugina e Patokut, ku kishin konsumuar drekë së bashku. Sipas Policisë, aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 14:30 të së martës në fshatin Adriatik të Kurbinit, ku viktima mbetën Juli Margjini, 22 vjeç, banues në Kombinat, Simon Kaza, 20 vjeç dhe Bert Marku, 17 vjeç, të dy banues në Adriatik të Kurbinit. 22-vjeçari nga Tirana ishte në drejtim të makinës dhe dyshohet se shkak për daljen nga rruga është bërë tentativa për të shmangur një gropë.
AKSIDENTI
Të rinjtë po udhëtonin me një automjet tip “Lancia” me targa AA 389 MO nga superstrada Laç-Fushë-Krujë për në fshatin Adriatik dhe gjatë manovrës për të shmangur gropën, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe për pasojë makina ka përfunduar në kanal. Automjeti është rrokullisur disa herë, duke bërë që të rinjtë të marrin dëmtime të shumta dhe të humbin jetën në mënyrë të menjëhershme.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë policia dhe autoambulanca, ndërsa për nxjerrjen e trupave të viktimave nga automjeti është dashur më shumë se 30 minuta, pasi makina kishte pësuar dëmtime të shumta. Trupat e pajetë të të rinjve u dërguan në morgun e spitalit të Laçit, ku iu nënshtruan ekzaminimeve dhe më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre, shkruan Panorama.
“Më datë 01.05.2018, rreth orës 14:30, është marrë njoftim se në Adriatik, Kurbin, ka ndodhur një aksident automobilistik. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar mjetin tip “Lancia” me targë AA 389 MO , i cili kishte dalë nga rruga duke u përmbysur në kanalin anësor të rrugës. Për pasojë kanë humbur jetën të 3 shtetasit që ndodheshin në mjet, J.M., 22 vjeç banues në Kombinat – Tiranë , S.K., 20 vjeç banues në Adriatik, Kurbin dhe B.M., 17 vjeç banues në Adriatik, Kurbin”, bëhet e ditur nga Policia.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik që u mori jetën tre të rinjve. Mësohet se të rinjtë ishin kushërinj me njëritjetrin dhe po ktheheshin nga një drekë. Policia ka dy shime se drejtuesi i automjetit të ketë qenë nën efektin e alkoolit. Por kjo mbetet ende në kuadër të dyshimit.
RRUGA
Rruga ku ka ndodhur aksidenti është tejet e amortizuar. Ky është aksidenti i tretë tragjik me pasojë humbjen e jetëve. Një banor i zonës tregon se, vetëm një vit më parë dy familje ndërsa udhëtonin me një automjet, në tentativë për të shmangur një gropë, përfunduan në kanal. Për pasojë në këtë aksident mbeti i vdekur Lekë Kola.
Ndërkohë, pesë vite më parë, një tjetër aksident tragjik është shënuar në fshatin Adriatik të Kurbinit, në po të njëjtin vend. Në këtë aksident humbën jetën dy persona nga Mamurrasi. Shkak për këto ngjarje tragjike, që kanë tronditur Kurbinin dhe mbarë opinionin publik, është bërë rruga jashtë standardeve, pasi nuk ka barriera mbrojtëse si dhe gropat e shumta. Bëhet fjalë për një rrugën me gjatësi rreth 7 km, e cila është tërësisht e dëmtuar që deri tani ka marrë gjashtë jetë njerëzish.
“Makina po ecte shpejt, dëgjova zhurmë të madhe”
Një banor i zonës, i cili ka parë momentin e aksidentit, tregon se mbeti i tronditur nga zhurma e madhe. Dëshmitari shprehet se në momentin e përplasjes fatale makina po ecte me shpejtësi dhe kur shkoi për t’u dhënë ndihmën e parë, pa që tre të rinjtë kishin mbetur të vdekur në vend.
“Unë isha duke punuar këtu te toka ime vetëm 200 metra larg vendit ku ka ndodhur aksidenti. Kam parë që makina po lëvizte me shpejtësi dhe pastaj kam dëgjuar zhurmë. Vura re se diçka ndodhi dhe menjëherë kam shkuar në drejtim të rrugës. Pashë që makina kishte përfunduar në kanal. Shkova për t’u dhënë ndihmën e parë, por gjithçka ishte e kotë. Të rinjtë kishin gjetur vdekjen kur shkova unë, pasi kishin marrë dëmtime të shumta për faktin se makina i kishte zënë poshtë. Në atë moment erdhën dhe njerëz të tjerë dhe kemi njoftuar policinë dhe spitalin”, thotë dëshmitari, një banor i zonës.