Vdekja e Ardit Gjoklaj, Prokuroria “harron” përgjegjësitë e Erion Veliajt

E mërkurë, 02 May 2018 22:58

Prokuroria e Tiranës, e cila hetoi vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, nisi në vitin 2016 edhe një procedim penal për përgjegjësitë e Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “3R” për ngjarjen tragjike. Por, thuajse dy vjet pas vdekjes së Gjoklajt, Prokuroria e Tiranës nuk ka dhënë asnjë rezultat në këtë hetim për institucionet shtetërore dhe kompaninë private.

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës dorëzuan në atë kohë një kallëzim lidhur me mënyrën se si kompania “3R” e eksponentit të Partisë Socialiste, Edurim Teqja fitoi tenderin për të punuar nëë landfillin e Shararës.

Këshilltarët e djathtë kanë krijuar dyshime mbi mënyrën e krijimit të “Eco Tirana”, një kompani me kapital mbi 50% publik, e cila kishte si objekt mbledhjen, grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave. Sipas kallëzimit, në vend të kompanisë së dyshimtë “Eco Tirana”, në landfill ka punuar kompania “3R” e Edurim Teqjas.

Kompania “3R’ sh.p.k, menjëherë pas themelimit të shoqërisë “Eco Tirana”, ka nisur të operojë në landfillin e Sharrës, aktivitet i cili u prezantua nga Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, në një dalje publike në Qershor të vitit 2016.

Gjatë kesaj dalje publike, Veliaj u ka bërë thirrje subjekteve të interesuara që të punësoheshin pranë kompanisë “3R”, sidomos për shkak të kushteve të mira të punës dhe mbrojtes së të drejtave të punëmarrësit, në bazë të Kodit të Punës.

Por, në këtë biznes privat, të prezantuar me pompozitet, gjeti vdekjen shtetasi Ardit Gjoklaj. Vdekja e tij erdhi si pasojë e mungesës totale të kushteve të sigurisë. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për përgjegjësitë e kontrollit të Bashkisë së Tiranës në landfill. Gjithashtu, hetimi përfshinte edhe përgjegjësitë e kompanisë “3R”, bazuar në akt marrëveshjen me Bashkinë.

Për vdekjen e Ardit Gjoklajt, Prokuroria e Tiranës mori të pandehur dy punonjës të kompanisë “3R”, të cilët para pak javësh u shpallën të pafajshëm nga gjykata. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës veçoi hetimin për Bashkinë e Tiranës dhe kompaninë e Edurim Teqjas. Por, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk ka gjë tjetër veç heshtjes lidhur me rezultatet e mundshme të këtij hetimi.

Modifikuar më E mërkurë, 02 May 2018 22:01
Login to post comments