Rritja ekonomike e Shqipërisë në 2017, sipas të dhënave paraprake të publikuara sot nga Instituti shqiptar i Statistikave, ka qenë në nivelin e 3.84 për qind. Viti nisi me një ecuri të mirë ndërsa shënoi rritje të ndjeshme në gjysmën e parë të vitit, me 4,01 përqind në tremujorin e parë dhe 4,38 përqind në të dytin. Por në pjesën tjetër, ritmet ranë. Në tremujorin e tretë, Prodhimi i Brendshëm Bruto zbriti në 3,55 përqind, për t’u ulur lehtësisht më tej në tremujorin e fundit të vitit në 3,36 përqind .
Në tremujorin e fundit, në bazë vjetore, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e ka dhënë aktivitetit i sektorit Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport me +0,66 pikë përqindje, i ndjekur nga Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë, +0,64 pikë përqindje dhe nga sektori i Ndërtimit me +0,53 pikë përqindje. Negativ kontributi i grupit të aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni me -0,20 pikë përqindje.
Rritjen më të madhe në tremujorin e fundit e shënoi Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit, me 11,24 përqind, i pasuar nga grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë, me 5,60 përqind. Ndërtimi, një sektor me peshë në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rregjistroi një rritje me 4,29 përqind. I vetmi që shënoi rënie, është grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni me -6,53 %.
Për vitin 2018, qeveria shqiptare parashikon një rritje ekonomike në 4,1 përqind, ndërkohë që institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë të mendimit se ritmi i rritjes do të bjerë, për shkak të rënies së investimeve të mëdha në sektorin energjitik. Sipas FMN, Prodhimi i Brendshëm Bruto në fund të këtij viti do të jetë 3,7 përqind.