Kostoja e apartamentit në Tiranë i rrezikon karrierën anëtarit të Gjykatës Kushtetuese

Tuesday, 08 May 2018 09:07

Data 23 qershor e vitit 2011 ishte një ditë e shënuar në karrierën e gjatë të gjyqtarit Fatmir Hoxha. Pas dy dekadash si pjesë e sistemit gjyqësor, kohë gjatë së cilës kishte mbajtur pozicione drejtuese në gjykatën e Pukës dhe Gjykatën e Apelit Shkodër, parlamenti miratoi dekretin e presidentit për emërimin e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, ngritja në detyrë nga Gjykata e Apelit në Shkodër – ku Hoxha ushtronte dhe funksionin e kyetarit të gjykatës, i solli gjithashtu andralla financiare gjyqtarit, një pjesë e të cilave janë vënë nën lupën e rreptë të hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit – si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Hoxha është pjesë e listës prioritare të procesit të rivlerësimit, i njohur gjerësisht si procesi i vetingut. Si pjesë e hetimit administrativ të thelluar të aseteve të gjyqtarit Hoxha, KPK ka arritur në përfundimin se gjyqtari nuk ka burime të ligjshme për një pjesë të investimit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Apartamenti në total i kushtoi gjyqtarit Hoxha 140 405 euro, ndërsa shuma e pajustifikuar sipas KPK-së është 1.7 milionë lekë.

Ky përfundim i KPK-së është kundërshtuar gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të hënën nga avokati mbrojtës Julian Mërtiri, i cili është shprehur se burimi i shumës së parave për të cilat KPK ka pretendimin se klienti i tij nuk ka burim ligjor, është siguruar nga gjyqtari duke shitur mobiljet e përdorura të shtëpisë së tij të vjetër në Shkodër.

Një tjetër mungesë burimesh financiare e sjellë në dritë nga KPK prej 275 mijë lekësh për vitin 2003 është justifikuar nga gjyqtari Hoxha me të ardhurat e siguruara nga dhuratat në cash të bëra nga familjarë gjatë ceremonisë së martesës së tij në vitin 2002.

Lindur në vitin 1968 në Pukë, gjyqtari Fatmir Hoxha u diplomua në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës në vitin 1991. Nga viti 1993 deri në vitin 1996 Hoxha ka punuar si gjyqtar në vendlindjen e tij në Pukë, ku ka ushtruar dhe funksionin e kryetarit të gjykatës. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, Hoxha ka ushtruar detyrën në gjykatën e Apelit Tiranë dhe nga viti 2003 deri ne 2008 ai ka shërbyer si kryetar i gjykatës në Shkodër.

Deri në vitin 2011, kur Hoxha u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ai zotëronte një pasuri familjare me vlerë 5 milionë lekë, e përbërë nga një apartament në qytetin e Shkodrës prej 65 metrash katrorë, një automjet Volkswagen Golf dhe pjesa tjetër kursime me burim pagën e vet nga funksioni dhe atë të bashkëshortes.

Pas emërimit në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë, Hoxha i ka shitur asetet e tij në Shkodër në mënyrë që të transferohej me shtëpi në kryeqytet me familjen. Me datë 25 shkurt 2011, gjyqtari ka lidhur një kontratë sipërmarrjeje për një apartament me sipërfaqe 112.3 metra katrorë në rrugën F. Rada, pranë ish ndërtesës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, për një vlerë prej 140,450 euro.

Kostoja e lartë e apartamenteve në Tiranë, shumë herë më e lartë se shtëpia modeste që gjyqtari Hoxha zotëronte në Shkodër, e blerë me vlerë 1.7 milionë lekë, e ka detyruar këtë të fundit të marrë një shumë të madhe parash në formë kredish bankare dhe huash nga persona të afërm.

Për apartamentin në Tiranë, gjyqtari Hoxha fillimisht ka paguar 51 mijë euro në cash, duke mbetur borxh te firma e ndërtimit për një shumë prej 89,450 euro. Ky detyrim deklarohet se do të shlyhej sipas një kredie të subvencionuar nga Enti i Banesave prej 5 milionë lekësh, shitjes së banesës në Shkodër si dhe pagesat në vazhdim. Gjithashtu për kaparin prej 51 mijë euro, gjyqtari Hoxha ka marrë një hua prej 28,500 euro nga kunati i tij, shtetasi A.G, e cila është shlyer gjatë viteve në vazhdim.

Në vitin 2012, Hoxha ka marrë kredinë e subvencionuar nga Enti i Banesave pranë Bankës Kombëtare Tregtare, BKT. Në vitin 2014 ai ka marrë një kredi tjetër prej 250 mijë lekësh nga BKT. Në vitin 2014, gjyqtari Hoxha gjithashtu ka shitur apartamentin e tij në Shkodër për vlerën 3.4 milionë lekë dhe në vitin 2016 makinën e tij me vlerë 1800 euro. Me anë te një huaje të re me vlerë 34 mijë euro nga shtetasi A.Z dhe kursimet familjare, gjyqtari Hoxha ka paguar në vitin 2017 detyrimet e mbetura ndaj kompanisë së ndërtimit “Vigand Kostruksion” me vlerë 37.800 euro.

Megjithë kreditë e marra nga BKT, huatë nga të afërmit dhe personat e lidhur në vlera të larta monetare, sipas relatores të trupës gjykuese të KPK-së Alma Faskaj, gjyqtari Hoxha nuk ka pasur mjaftueshëm para të ligjshme për të mbuluar shumën prej 140 mijë eurosh për blerjen e apartamentit në Tiranë. Komisioni ka konstatuar një diferencë negative burimesh financiare për pagesën e kryer ndaj kompanisë së ndërtimit “Vigand Konstruksion” në vlerën e 1.7 milionë lekëve. Komisioni gjithashtu ka ngritur dyshime mbi kryerjen e pagesave në cash për blerjen e apartamentit si dhe ligjshmërinë e sigurimit të subvencionit nga Enti i Banesave për kredinë e dhënë nga BKT.

Avokati Mërtiri sqaroi gjatë seancës dëgjimore se pagesat cash nuk ishin të paligjshme dhe se pronësia e apartamentit kishte qenë me probleme – arsye më shumë që e kishte shtyrë gjyqtarin Hoxha ti bënte pagesat në cash. Gjithashtu, avokati insistoi se mungesa e burimeve financiare për pagimin e këstit fillestar ishte mbuluar me shitjen e mobiljeve të apartamentit në Shkodër, të cilat i ishin shitur personave të ndryshëm.

Avokati gjithashtu insistoi se kredia e marrë me subvencion nga Enti i Banesave ishte e ligjshme dhe e miratuar nga Këshillli i Ministrave sipas të gjitha rregullave. Ai pranoi se klienti i tij kishte jetuar në apartamentin në fjalë që nga janari i vitit 2012, pa e shlyer tërësisht vlerën e tij dhe pa qira financiare, por shtoi që kjo ishte një marrëdhënie private e dakordësuar midis firmës dhe gjyqtarit Hoxha. Duke iu refereuar raportit të pastër për figurën e gjyqtarit nga DSIK dhe vlerësimit pozitiv profesional nga KLD, ai kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.

Në përfundim të seancës, kryesuesja e trupës Xhensila Pine njoftoi se vendimi për gjyqtarin Fatmir Hoxha do të shpallej me datë 10 maj ora 13:00. /BIRN/

Modifikuar më Tuesday, 08 May 2018 09:10
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...