Gati 2 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar në Shqipëri, ç[ka shënon rritjen e informalitetit në ekonomi. Kjo shumë është e barabartë me 20.9% të parasë gjithsej në ekonomi, nga 19.7% që ishte ky tregues një vit më parë. Në vlerë absolute paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare është shtuar me gati 120 milionë euro në 2017-n.
Ky është niveli më i lartë që nga 2009-a (shih grafikun), kur u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar për shkak të frikës që u shkaktua në atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale. Në janar dhe në shkurt, paraja jashtë bankave ka shënuar ulje, por sërish ajo mbeti në 20.6% të total, rekord i tetë viteve të fundit.
Hyrja e parave nga kanalet informale dhe rënia e depozitave në lekë vitet e fundit, për shkak të interesave të ulëta janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Nga ana tjetër, 2017-a ishte një vit zgjedhor dhe gjithnjë në periudhat zgjedhore konstatohet një rritje e parasë jashtë bankave, për shkak të shpenzimeve të mëdha që kryhen në periudha zgjedhore.