Ditën e premte, datë 18.05.2018, në orën 17:30, në Godinën “Liria” në Qytetin Studenti, do të organizohet Ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” Z. Michael D. Granoff me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në nxitjen dhe zhvillimin e modeleve të qëndrueshme dhe praktikave më të mira në fushat e ekonomisë, kulturës dhe arsimit në Shqipëri”.
Në këtë ceremoni sipas njoftimit te UT, do të marrin pjesë anëtarë të Kabinetit qeveritar, ish-presidentë të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Donald Lu, Ambasador i SHBA-së në Shqipëri, Z. Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike, senatorët e UT-së, personalitete nga fusha e arsimit, shkencës dhe fusha të tjera si dhe të ftuar të tjerë.
Kontribute të z. Michael D.Granoff
Zoti Granoff u emërua nga Presidenti Klinton në Bordin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, një nismë e sponsorizuar nga qeveria e SHBA-së për zhvillimin e sektorit privat, ku aktualisht mban postin e Kryetarit te Bordit.
Zoti Michael Granoff, në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, shquhet për kontributin e çmuar në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, arritje të mëdha në sektorin e sipërmarrjes si dhe kontributin e vyer në fushën e arsimit në Shqipëri. Angazhimi dhe bashkëpunimi i Z. Granoff me institucionet shqiptare në fushën e arsimit, kanë mundësuar realizimin e projekteve madhore në mbështetje të reformave sfiduese, të ofrimit dhe garantimit të standardeve bashkëkohore në kurrikula dhe cilësinë e mësimdhënies, në nxitjen e aftësive për sipërmarrje tek nxënësit e sistemit para-universitar, si dhe në përmirësimin e transparencës të vlerësimit të studentëve dhe rritjen e cilësisë të transferimit të dijeve në universitete publike e private. Gjatë 20 viteve në Shqipëri, Z. Granoff ka drejtuar forume të një niveli të lartë ekonomik dhe akademik, duke ndarë eksperiencën e tij në fushën e biznesit dhe të lidershipit me sipërmarrës të rinj dhe studentë të ekselencës.