Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton se ka nisur planin e masave për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, nga tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike, në mbarë vendin.
Tatimet sjellin në vemendje se strukturat e administratës tatimore do të kontrollojnë dhe verifikojnë të gjithë tatimpaguesit, përgjatë gjithë sezonit, në lidhje me:
– Respektimin e detyrimit për të qenë të regjistruar si biznes në QKB dhe në administratën tatimore. Mosrespektimi i këtij detyrimi penalizohet me bllokimin e mallrave dhe detyrimin për regjistrim direkt në TVSH.
– Respektimin e detyrimit për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport. Në rastin kur tatimpaguesi i paregjistruar në TVSH gjendet me mallra të padokumentuar, përveç penalitetit përkatës të barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument, gjithashtu bëhet edhe ndryshimi përgjegjësisë tatimore, duke e kaluar në tatimpagues me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së. Në rastin kur tatimpaguesi është regjistruar në TVSH, vendoset penaliteti përkatës, i barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument.
– Respektimin e detyrimit për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij. Sipas ligjit të Procedurave Tatimore, kur gjatë një verifikimi në terren konstatohet një tatimpagues, i cili nuk lëshon kupon tatimor për herë të parë, përveç vendosjes së gjobës në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet edhe vlerësim tatimor nga zyra për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative. Pas konstatimit të parë, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, merret edhe masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike. Çdo konstatim i përsëritur i moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit, konsiderohet evazion tatimor sipas pikës 2, të nenit 116, të ligjit të Procedurave Tatimore. Gjithashtu, publikohen emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
– Respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm. Nëse, nga verifikimi dhe kontrolli, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar çdo të punësuar, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ai penalizohet: nëse është tatimpagues i biznesit të madh me gjobë 200,000 (dyqind mijë) lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël me gjobë 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
– Respektimin e detyrimit për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë në masën 100,000 ( një qind mijë ) lekë për tatimpaguesit e biznesit të madh dhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tatimpaguesit e biznesit të vogël.
Administrata Tatimore deklaron se me të gjitha strukturat e saj, është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit