×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 61

Bastisja e prokurorisë/ Ja zyra e cilit prokuror u vodh natën, hetonte…

E Enjte, 24 May 2018 08:39

Dalin detajet e para nga bastisja gjatë natës e Prokurorisë së Durrësit.

Mediat raportojnë se, zyra e grabitur është ajo e prokurorit Afrim Shehu, prokuror i 'Task Forces'.

Nuk ka të dhëna konkrete se çfarë i është vjedhur prokurorit Shehu në zyrën e tij, pasi këto do të dalin pas bilancit të dokumenteve që ai ka pasur në zyrë.

Shehu heton të gjithë zyrtarët që kanë probleme dhe gjithë sa lidhet me abuzimet dhe korrupsionin e pushtetarëve.

Sipas “BW”, nuk janë dëmtuar dyert e jashtme të prokurorisë por të zyrës së prokurorit Afrim Shehu, i cili ka disa dosje nën hetim, një prej të cilave ajo e Ishmit ku u arrestuan zyrtarë të lartë për tjetërsim pronash dhe kontrata qiraje të plazhit (ish-kreu i komunës). Po kështu edhe zyra e një oficeri të policisë gjyqësore.

Në Prokurori kanë mbërritur të gjithë prokurorët, të cilët kanë mbetur të habitur pasi në dyert kryesore nuk ka shenja dhune. Dyshohet se autorët janë futur nga kabina elektrike që ndodhet pas prokurorisë dhe më pas kanë kaluar në dritaret e tualetit të objektit. Vjedhja ka ndodhur në zyrat e katit të katërt dhe të pestë.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur shefi i komisariatit të Durrësit Sajmir Duro që po bën inventarin dhe ka pyetur prokurorët se çfarë mungon. Në organin e akuzës së qytetit të Durrësit, sipas gazetares Klodjana Haxhiaj ka një numër të madh efektivësh policie.

Drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella e emëruar disa ditë më parë nga kryeprokurorja Arta Marku i duhet të zbardhë tashmë dy vjedhje të ndodhur brenda majit për të rikthyer besimin e prokurorëve dhe qytetarëve tek institucioni që drejton./BW/

Modifikuar më E Enjte, 24 May 2018 08:48
Login to post comments