Profesori i njohur shkodran Mahir Hoti është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare.
Mësohet se profesor Hoti vuante nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e profesorit të njohur është një humbje e madhe për botën akademike shqiptare.
Profesor Hoti në vitin 2006 është renditur në 100 profesorët më të mirë në botë.
Emri i profesor, doktor Mahir Hotit u rendit në sallat e Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Cambridge të Anglisë, përkrah shumë personaliteteve të tjera nga i gjithë globi, që kanë dhënë një kontribut të vyer në fushën e arsimit. Lajmi u bë publik nga drejtues të kësaj qendre prestigjioze.
Mahir Hoti lindi në një familje shkodrane, më 15 janar të vitit 1948. Në vitin 1970, ai kryen studimet në Universitetin e Tiranës, dega Histori-Gjeografi. Ndërsa në vitin 1999, fiton titullin “Profesor Doktor”.
Gjatë 35 viteve në arsim ka kryer të gjitha detyrat: Në 1971-1972, mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “28 Nëntori”; në vitet 1972-1975, pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër (sot Universiteti i Shkodrës). Më 1978-1982, kryeinspektor i Arsimit në rreth, më pas pedagog në Universitetin e Shkodrës dhe që nga viti 2000, rektor i këtij institucioni.
Kontributi dhe prania e prof.dr Mahir Hotit do t’i mungojë botës akademike, kolegëve, miqve e bashkëpunëtorëve. Ai ka lënë një kontribut të madhe me karrierën e tij për qytetin e Shkodrës.