Prokurorët e Krimeve të Rënda është ende e bindur se Saimir Tahiri duhet të burgoset, pasi në çdo masë tjetër sigurie ai ka mundësi të prishi provat ose, edhe më keq, të arratiset.
Rreth 2 javë më parë, në 12 maj 2018, Gjykata e shkallës së Parë për Krime të Rënda pranoi pjesërisht kërkesën e prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara dhe vendosi “arrest në shtëpi” për Saimir Tahirin, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale narkotrafiku dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Ekziston rreziku i ikjes së Tahirit
Sipas prokurorëve, “ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim ka kryer veprat penale, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe, po ashtu, parashikojnë si sanksion dënim të lartë në burgim”.
Nisur nga ky argumentim, sipas prokurorëve, ekziston rreziku i ikjes së Tahirit, pasi në mbledhjen e të dhënave dhe provave në ngarkim të tij, të cilat krijojnë siguri të dënimit të këtij të këtij personi në një të ardhme të shpejtë, rrit ekzistencën e rrezikut të ikjes së personit nën hetim.
Tahiri ka ende pushtet në polici, mund të prishë provat
Gjithashtu, prokurorët janë të bindur në peshën e provave që kanë siguruar deri më tani, si edhe ekzistencën e rrezikut se Saimir Tahiri, me pushtetin e tij që ka pasur dhe ndikimin që vijon të ketë ende në radhët e zyrtarëve të policisë, mund të vendosë në rrezik marrjen apo tjetërsimin e provave.
“Hetimi ndaj personit nën hetim, shtetasit Saimir Tahiri, është i gjithëanshëm, pasi hetohet në lidhje me përfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal, të drejtuar nga shtetasi Moisi Habilaj me një aktivitet të gjatë në kohë. Po ashtu, ai po hetohet edhe si i përfshirë në çështjen në ngarkim të shtetasit Orest Sota, si edhe për aktivitetin e vitit 2016, ku janë përfshirë në kultivimin e narkotikëve përsëri shtetasit Moisiu Habilaj e të tjerë, si edhe funksionarë të Policisë Vlorë, të cilët i kanë krijuar siguri këtyre personave në aktivitetin e kundërligjshëm, kundrejt përfitimit material”, shkruajnë prokurorët në apelimin e tyre.
Autoritetet e huaja sollën prova për lëvizjet Tahiri- Habilaj
Prokurorët Hajdarmataj e Mara, theksojnë gjithashtu se “Hetimi në secilin rast ka sjellë për nevojë ndihmën juridike nga autoritetet e huaja të drejtësisë për marrjen e provave dhe aktualisht kemi marrë disa prej tyre dhe jemi në pritje të të dhënave të tjera. Me marrjen e këtyre të dhënave dhe jo vetëm, ka filluar edhe kryerja e veprimeve hetimore në vendngjarje, kqyrje dhe sekuestrime të tjera. Nga hetimet e deritanishme për periudhën 2013-2016 ka rezultuar se, në secilin rast që ka të bëjë me lëvizjen e vëllezërve Habilaj, të shtetasve Artan e Moisi Habilaj, me automjetin ose mjetin lundrues që përdorej nga shtetasi nën hetim Saimir Tahiri, shtetasi Moisi Habilaj në pikat e kalimit kufitare Sarandë, Vlorë e Durrës, nuk ka ekzistuar asnjë shënim në libra, regjistra hyrje që dokumentojnë hyrje-daljet dhe kjo si rezultat i mbështetjes që ata kishin nga ish-ministri i brendshëm dhe në secilin rast ka ekzistuar frika për pasqyrimin e këtyre të dhënave nga personat përgjegjës”.
Janë në fazën e marrjes në pyetje persona që kanë dijeni, Tahiri mund t’i shantazhojë
Në këtë fazë të hetimit, sipas prokurorëve, janë duke u pyetur persona që kanë dijeni për veprën penale, të cilat i dikton dinamika e hetimit, ndër të cilët efektivë dhe efektivë policie. Për rrjedhojë ekzistojnë shkaqe të rëndësishme për ndërhyrje të Tahirit në marrjen dhe vërtetimin e këtyre provave.
Ndikon drejtpërdrejt te personat që vetëofrohen për të dhënë deklarata ngatërruese
Prokurorët theksojmë se ndërhyrja e personit nën hetim për të “ndotur” provat është e lartë, për shkak të funksionit të mëparshëm si ministër i brendshëm, duke administruar një autoritet dominant.
“Edhe aktualisht, për shkak të këtij funksioni, ndikon në marrjen dhe vërtetësinë e provave, duke ndërhyrë dhe vënë në dyshim sinqeritetin e dëshmitarëve, heqjen dhe zhdukje dokumentash, kanosje për largim nga puna apo premtim kompromentues të tyre. Një rast i dukshëm është edhe interesi i menjëhershëm që shfaqi personi nën hetim menjëherë pas pyetjes në prokurori të shtetasit Orges Liperi, pronar i mjetit lundrues dhe kjo për të marrë informacionet dhe sigurisht për të përcjellë tek ai autoritetin që po mbikqyr procesin”, i drejtohen Gjykatës së Apelit prokurorët e Krimeve të Rënda.