Është arrestuar për vrasje në rrethana të rënduara dhe është dërguar në burgun e Monzas mbrëmjen e kaluar 35-vjeçari maroken Bouchaib Frihi, i cili rrëfeu vrasjen e gruas së tij Fjoralba Nonaj, 34-vjeçare.
Shqiptarja që punonte prej kohësh në Itali, por ishte në proces divorci prej disa muajsh u vra me thikë në prani të djalit 5-vjeçar, brenda makinës së saj në Seregno (Monza) pasditen e djeshme.
Sipas rezultateve të para të hetimeve, gruaja është qëlluar disa herë me thikë në qafë, në gjoks dhe në bark.
Autopsia, të cilës do t’i nënshtrohet trupi i pajetë i gruas, do të qartësojë numrin e saktë të goditjeve me thikën e kuzhinës nga burri i saj maroken.
Arma e krimit është sekuestruar menjëherë pasi marokeni u dorëzua në polici dhe rrëfeu krimin.
Fëmija 5-vjeçar i çiftit, ka qenë i pranishëm kur babai i tij ka qëlluar mbi nënën disa herë me thikë.
Madje 35-vjeçari maroken pasi ka vrarë gruan nuk e ka kthyer kokën pas, duke e lënë të birin tek shikonte nënën e tij të mbuluar nga gjaku teksa jepte shpirt.
5-vjeçari është shoqëruar në spital në gjendje shoku dhe i është besuar shërbimeve sociale që do të kujdesen për të.