Mbrëmjen e së enjtes vjen koncerti popullor “Në Konak” për publikun kryeqytetas, me krijimtarinë folklorike nga të gjitha trevat, në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar
Ansambli Folklorik Tirana mbrëmjen e së enjtes me koncertin popullor “Në Konak” sjell për publikun krijimtarinë folklorike. Koncerti që do të zhvillohet në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar këto ditë të muajit qershor sjell një atmosferë ndryshe për publikun nga veprimtaritë që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe. Me udhëheqëse artistike Armela Demaj dhe koreografi nga Rudina Demaliaj e Donald Martini koncerti “Në Konak”, që organizohet nga Qendra Kulturore Tirana sjell motivet më të mira të trashëgimisë kulturore të të gjitha trevave të Shqipërisë, të këngëve, valleve dhe kostumeve popullore nga jugu në veri. Këtë herë udhëheqëse artistike Armela Demaj tregon se Ansambli Tirana ka një traditë në interpretimin e folklorit të Shqipërisë së Mesme, e në këtë koncert do të jenë këngët dhe vallet më të spikatura. Koncerti përfshin një program artistik muzikor rreth 90 minuta. Programi përmban valle e këngë të Shqipërisë së Mesme, të Jugut dhe Veriut. Ansambli Folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i Ansamblit Folklorik Tirana është i pasur dhe përfshin te gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Ansambli Tirana përgjithësisht përbëhet nga të rinj duke filluar nga mosha 16- 20 vjeç dhe për t’u vlerësuar është fakti që këta të rinj e duan dhe e kanë pasion vallen shqiptare. Ansambli ka në përbërjen e tij një koorepetitor, valltarë, orkestrantë dhe këngëtarë popullor. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e Ansamblit Tirana përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli Tirana është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.