Në sajë të një teknologjie të imazherisë infra të kuqe, studiuesit kanë identifikuar, nën sipërfaqen e një pikture të Pikasos, në një muze japonez, një faqe gazete, një zbulim që mundëson qartësimin e rrethanave të krijimit të veprës “Lindje në breg të detit” (“Maternité au bord de la mer”).
“Për të verifikuar që fokusi ka qenë i qartë, ne kemi drejtuar aparatin fotografik në fytyrën e nënës dhe për habinë time kemi parë menjëherë të shfaqet një tekst gazete!”, tregon John Delaney, studiues i “National Gallery of Art” në Uashington, në një komunikatë.
Ai ka realizuar studimin me Keiko Imai, kuratore kryesore e Muzeut Pola që ndodhet në Hakone (në perëndim të Tokios) ku ndodhet kjo vepër e periudhës blu të artistit, që do të merret në të ardhmen në muzeun Orsay në Paris (nga shtatori 2018 në janar 2019).
Për të identifikuar origjinën e këtij teksti, kjo e fundit ka shkuar të nxjerrë në pah arkivat e të përditshmes letrare, artistike dhe politike “Le Journal”, të cilën Pablo Pikaso (1881-1973) e lexonte vazhdimisht.
Ajo ka gjetur një kopje të 18 janarit 1902 që i korrespondon ekzaktësisht tekstit të dukshëm, që përfshin veçanërisht debatet në Parlamentin britanik si dhe krijimin e një Salloni pikture dhe skulpture në Automobile-Club de France.
Zbulimi i këtyre artikujve tregon se tabloja është pikturuar pas kësaj date në Barcelonë, ku Pikaso ishte vendosur në fillimit të janarit.
”Shkaku i pranisë së kësaj faqeje gazete nuk është i qartë”, sipas komunikatës, por mendohet të jetë përdorur nga artisti për mbulimin e shtresave të mëparshme para se të pikturonte një vepër të re ose për kompozimin final të tablosë.