Vikena Kamenica është një nga mezzosopranot shqiptare me karrierë të gjatë artistike.
Ajo është bërë shumë shpejt pjesë e ‘Teatrit të Operas dhe Baletit’ dhe një sërë veprash operistike janë realizuar prej saj.
Por duket se suksesi dhe emri i Vikena Kamenicës ka kaluar kufijtë shqiptarë. Nëpërmjet ‘Instagram’-it, Vikena ka zbuluar për të gjithë se ka luajtur rolin kryesor në operën franceze ‘Samson Et Dalila’ të Saint Saens.
Kamenica ka treguar se ndihet me shumë fat që ka mundur të bëjë realitet rolin e ëndrrave të çdo mezzosopranoje. Ajo ka pasur rolin e Dalilas dhe për shkak të interpretimit të saj të jashtëzakonshëm ka marrë shumë përgëzime dhe nga mediat franceze.
Premiera e shfaqjes ka qenë pak ditë më parë në Teatrin e Operas në Metz, qytet në verilindje të Francës. Vikena nuk ka harruar të falenderojë edhe Ermonela Jahon për mbështetjen e madhe jo vetëm artistike, por edhe shpirtërore. Nuk kanë munguar dhe disa urime nga miqtë më të mirë të mezzosopranos, të cilët shpresojnë që një ditë emri i Vikenës të bëhet i njohur në mbarë botën. /revistawho.com