Kënga fituese e San Remos “Non mi avete fatto niente” që bëri të famshëm Ermal Metën në Europë, së bashku me Fabrizio Moron, do jetë kënga që do përfaqësoj Italinë në Eurovision.
Meta arriti që të fitonte zemrat e italianëve këtë herë jo vetëm me muzikën e tij të mrekullueshme, por edhe me historinë e jetës.
Në statusin e bërë publik, Ermali tregon një tjetër arritje në karrierën e tij, ai do të nderohet nga kryebashkiaku i qytetit të Barit me çelësin e qytetit.
“Ishte viti 1994 dhe isha 13 vjeç, erdha në një qytet që nuk e njihja. Kam takuar njerëz që nuk i kisha parë kurrë më parë dhe dëgjoja një gjuhë që nuk e flisja. “Mos merr ndonjë hap të gabuar”,- i thosha vetes, gjithmonë shikoja këmbët e mia, dhe isha i kujdesshëm ku i vendosja. Mësova një gjuhë që nuk e dija dhe ngadalë fytyrat e të huajve u bënë miq. Qoshet e qytetit u bënë gjithnjë e më të njohura. Flisja pak, por ndjeja shumë.
Unë ecja duke parë këmbët e mia, e më dukej sikur në asfalt pasqyrohej qielli dhe vazhdimisht mendoja “çfarë do të bëhet me mua”?
Atëherë hapat e mi një ditë u ndalën në dërrasat e drunjta dhe ngrita vështrimin. Isha në një skenë dhe dëgjova se ishte e vetmja gjë që doja të bëja, ky ishte i vetmi vend ku doja të isha.
E dija çfarë do të ndodhte me mua , kështu që fillova të fluturoja lart. Pas gjithë këtyre viteve qyteti i Barit më jep çelësat e tij dhe ndihem i nderuar dhe mirënjohës për t’i marrë ato.
Ata nuk hapin dyer, por kujtimet e mia më të thella. Faleminderit shumë”, – ka shkruar këngëtari shqiptar, Ermal Meta.