Për zotërinjtë Fidel Ylli, Mero Baze, Hervin Çuli e të tjerë si ata

Diel, 17 June 2018 18:24

Regjisori i njohur Kastriot Çipa ka bërë një reagim të gjatë ditën e sotme, duke shpjeguar përplasjen që pati një muaj më parë me deputetin e PS-së, Fidel Yllin.

Po ashtu, Çipa ka reaguar edhe për shpifjen që Mero Baze bëri menjëherë pas këtij debati që pati me Yllin.

Postimi i plotë:

PËR ZOTËRINJTË FIDEL YLLI, MERO BAZE, HERVIN ÇULI E TË TJERË SI ATA

Një muaj më parë isha ftuar, së bashku me kolegët Çeloaliaj e Dushku, për të paraqitur para Komisionit Parlamentar për Edukimin pikëpamjen e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) mbi çështjen aktuale të Teatrit Kombëtar. Ndërsa çmontoja një nga një gënjeshtrat e propagandës qeveritare mbi asbestin, dopolavoron, ndërtimin e përkohshëm, funksionin ushtarak e të tjera si këto, deputeti i pozitës, Fidel Ylli, e humbi toruan. I mbetur pa argument, përballë provave fotografike dhe dokumentare që po paraqisja, pikërisht kur u kërkova deputetëve, të majtë e të djathtë, të silleshin si në vitin 2002 e të bëheshin bashkë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, z. Ylli më “demaskoi” duke më thënë “Ti ke qenë sekretar i PD për kulturën”. Për respekt të institucionit ku ndodheshim, u mjaftova duke i thënë se e sfidoja të gjente një dokument të vetëm partiak, që mbante firmën time, qoftë të PD, qoftë të ndonjë partie tjetër të postkomunizmit, qoftë edhe të ish-Partisë së Punës.
Seanca dëgjimore ishte drejt fundit dhe nuk pata kohë t’i them z. Ylli se nuk kam bërë ndonjëherë lutje për t’u bërë komunist, nuk kam qenë as truprojë e kryeministrit të PD Aleksandër Meksi, as kam bërë ndërtime pa leje në territor akademik. Nuk ia thashë as pasi dola nga salla dhe ndoshta nuk do t’ia kisha thënë kurrë, nëse nuk do të dëgjoja gjatë këtyre ditëve shpifje të ngjashme, që më shumë se personin tim, synojnë të përbaltin lëvizjen tonë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Menjëherë pas kësaj shpifjeje qesharake, Mero Baze filloi një avaz shpifjesh të përjavshme. Duke qenë gazetar dhe duke shkruar, pra jo duke debatuar drejtpërdrejt, z. Baze ka mundësi të jetë më pak emocional dhe më shumë i kujdesshëm. Ai zgjedh një tjetër përkufizim: më quan herë militant e herë anëtar të PD. Mesa duket z. Baze e di se strukturat e PD që merren me kulturën e kanë një staf drejtues dhe unë nuk bëj pjesë ndër ta. Por kjo nuk e bën më pak qesharake shpifjen e tij. Në të gjitha shkrimet e tij, ku përmendet emri im ose i SASE ose i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) ai nuk merret me asnjë nga argumentat tanë. Madje as me (pseudo)argumentat e Qeverisë. Z. Baze ka zgjedhur të bëjë atë që di të bëjë më mirë: shpifjen, përbaltjen, zhvlerësimin e argumentit përmes zhvlerësimit të individit ose grupimit që e sjell. Është zanati që z. Baze ka mësuar ta bëjë që në vitin 1992, kur qeveria e PD e bëri drejtor të ATSH, e përsosi si servili më i madh mediatik i PD deri në vitin 2007 (ishte ai që botoi fotot nudo të Ramës dhe e akuzoi atë se kishte mohuar atësinë e të birit) dhe vazhdon ta përsosë, duke qenë konkurrenti i vetëm i Carlo Bollino-s, si servili më i madh mediatik i PS. Meqë ra fjala, mediat e Bollino-s kanë qenë shumë të gatshme të ribotojnë shpifjet e përsëritura të asaj të Bazes.
Për të argumentuar “implikimin” tim me PD, gazeta e Mero Bazes botoi një foto ku unë dhe kolegët Budina e Dushku, në shoqërinë e Lulzim Bashës dhe Albana Vokshit, pinim kafe në mes të ditës me diell, në lulishten para Kinema Millennium. Z. Baze e di shumë mirë se për çështjen e Teatrit Kombëtar, unë dhe kolegët e mi kemi takuar edhe Monika Kryemadhin, edhe Ilir Metën, edhe Erion Veliajn, edhe Gramoz Ruçin, por këto fakte atij nuk i interesojnë, sepse nuk i shkojnë me kuadrin e shpifjes që ka zgjedhur.
Në një pozitë të ngjashme me z. Ylli u gjend së fundi drejtori i TK, Hervin Çuli. Një ditë para dëgjesës së Erion Veliajt me artistët, ai dhe homologia e tij e TOB u dërguan stafeve respektive një sms ku ftoheshin të merrnin pjesë. Në mesazh thuhej, ndër të tjera, se TK ka sot 1.200 m2 (pa specifikuar nëse bëhet fjalë për truall apo sipërfaqe ndërtimi) dhe do të ketë nesër me teatrin e ri (9.500 m2, sërish pa e specifikuar, truall apo ndërtim). Përmes një statusi në Facebook, e pyeta z. Çuli sa m2 truall ka sot aktualisht Teatri Kombëtar dhe sa do të ketë nesër, nëse ndërtohet teatri i ri. Z. Çuli replikoi gjatë me mua, por vetëm kësaj pyetje nuk u përgjigj. Ndonëse me shkrim, duke qenë tip kolerik, ai e humbi toruan dhe më akuzoi si “personin e parë që duhet të jap llogari për gjendjen aktuale të TK”, pasi, sipas tij, “kam qenë në pushtet 12 vjet me rradhë, si drejtor i TK e zëvendës i drejtorëve Ferri, Qirjaqi dhe Londo”.
E vërteta është se në mars 1999, pikërisht ministri Edi Rama, më ka emëruar nëndrejtor të TK (çudi si nuk ma përmendin këtë fakt, për të më akuzuar si militant të PS), pasi kishte emëruar drejtor të TK Xhevdet Ferrin. Gjashtë muaj më pas kam dhënë dorëheqjen dhe kam akuzuar publikisht Ramën dhe Ferrin se po shkatërronin institucionin e TK, duke dhënë me qera çdo hapësirë e skutë. Shkurt, bëra atë që Çuli nuk ka kurajë ta bëjë sot!
Dorëheqja ime u pasua me tre vjet papunësi. Gjatë atyre tre viteve denoncova aferat korruptive të Ramës e Ferrit me qeradhëniet dhe prokurimet publike, por edhe të projekt-ligjit “Për Teatrin”, duke u solidarizuar me grevistët e TOB. Denoncova në shtyp propozimin “konfidencial” për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe hartova peticionin e artistëve kundër këtij projekti në mars-prill 2002. Në këta tre vjet Çuli punoi i qetë me kompanitë private që mbinë si kërpudha në kohën e Ferrit, ndërsa ishte edhe regjisor i fushatave të PD. 
Dy muaj më vonë, jam emëruar sërish nëndrejtor (sërish nga një ministër i PS!), pasi u emërua drejtor Agim Qirjaqi. Në atë periudhë u bë rikonstruksioni i çatisë së TK dhe u larguan të gjithë qeramarrësit privatë. Këto veprime të vendosura nga ana jonë sabotoheshin sistematikisht nga ministrja Arta Dade, e cila më shkarkoi në mënyrë të kundraligjshme, pa propozimin e drejtorit, pas tetë muajve në detyrë.
Kiço Londo u emërua drejtor në vitin 2003, por unë nuk kam qenë asnjë ditë zëvendës i tij, siç nuk kam qenë kurrë drejtor i TK. Jam pushuar sërish nga puna në vitin 2005, pasi kishte ardhur në pushtet “partia ime”, PD dhe kam qenë plot gjashtë vjet pa punë. Ndonëse pa punë, kam vazhduar të shkruaj kritika në shtyp, si psh për projekt-ligjet e Qeverisë Berisha 1, “Për Artin Skenik” (2006) dhe “Për Artin dhe Kulturën” (2010). Ndërkohë Çuli ishte aktor i TK dhe anëtar i KOP-it dhe luftonte me të gjitha forcat të bëhej drejtor i TK. Ditën që përpjekjet e tij dështuan, ai u bë kundërshtar i vendosur i PD.
Në vitin 2011 jam emëruar drejtor i parë i Teatrit të Komedisë, sot Teatri Eksperimental. Qysh në fjalimin tim të parë, në ditën e përurimit të Teatrit të Komedisë, kam kërkuar rikonstruksionin e plotë të Teatrit Kombëtar. Gjatë tre viteve në detyrë, jam krenar të arritëm të kryejmë disa investime në dy hollet, sallën dhe skenën e Teatrit të Komedisë, duke e kthyer atë në një teatër dinjitoz, që u bë më i kërkuari për veprimtaritë e ambasadave dhe fondacioneve të huaja. 
Në vitin 2013 erdhi në pushtet Rama, ky demon “që kishte rrënuar buzëqeshjen më të bukur në botë” (të bashkëshortes së tij të parë), sipas një shkrimi të Çulit në kohën e militimit të tij në PD. Në janar 2014, Çuli u bë më në fund drejtor i TK. Në pranverë 2014, “Rilindja” ndërhyri në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën” duke i ndryshuar emrin Teatrit të Komedisë, për të justifikuar lirimin tim para mbarimit të mandatit, në kundërshtim me ligjin. Me këtë rast, më duhet të them se jam krenar që nuk arritën të gjejnë në punën time asnjë shkelje ligjore dhe u detyruan të ndryshojnë ligjin!
Në daljen e tij të parë në media si drejtor, në prill 2014, Çuli deklaroi, në kor me ministren Kumbaro dhe drejtoren e IMK Dollani, se gjendja e ndërtesës së TK ishte katastrofike dhe se jetët e artistëve dhe shikuesve ishin në rrezik. Këto deklarata bazoheshin mbi një raport teknik të IMK, të cilin Çuli nuk e bëri kurrë publik, por unë e disponoj sot.
Pas katër vjetësh, Çuli u rikonfirmua në post. Unë kam bindjen e patundur se ai e meritonte këtë shpërblim nga Rama. Katër vjet me rradhë, në muret e TK nuk u vu asnjë ulluk shkarkimi të ujrave të shiut, asnjë mistri llaç në suva. Një raport i Institutit të Ndërtimit, i marsit 2018, provon se gjendja është rënduar, pikërisht për shkak të mosmirëmbajtjes, thënë ndryshe, për faj të shpërdorimit të detyrës nga drejtori.
Sot, firmëtari i peticionit të hartuar prej meje në mars 2002 për shpalljen e TK monument kulture, drejtori i “Rilindjes” që premtoi rikonstruksionin e plotë të TK në programin e vet zgjedhor, jo vetëm mbështet aferën korruptive të kryerilindasit, që kërcënon me shembje TK, por është madje më i zellshëm se të tjerët. 
Ndërsa unë, jam ai që isha në vitet 1999-2002. Sërish pa parti, sërish pa punë dhe sërish mbrojtës i Teatrit Kombëtar!

/55News.al/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...