Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit rikthehet sot në mbrëmje me komedinë “Tag” te “arTurbina”. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të zhvillohet në datat 23- 30 shtator dhe në të marrin pjesë 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas teatrit, Ministria e Kulturës si dhe Bashkia e Tiranës janë në ndihmë të këtij festivali, ku shfaqjet për publikun do të prezantohen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, si dhe te “arTurbina”. Premiera me të cilën do të prezantohet Teatri Kombëtar në këtë festival, që do të nisë më 23 shtator është ajo me titull “Tag”. Vepër shqiptare me autor Bashkim Hoxha vjen me regji nga Andia Xhunga.
Kjo shfaqje teatrore është dhe premiera e parë e sezonit artistik të TK. “Tag” është një nga veprat e lexuara në “Netët e dramës shqipe”, e cila fitoi të drejtën për t’u ngjitur në skenën e teatrit, dhe për të qenë pjesë e repertorit të tij. Nga vetë titulli, “Tag”, kuptohet që vepra lidhet me rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë. Dramaturgu nxitet nga një shqetësim i së përditshmes për të ndërtuar një vepër, e cila nuk të bën vetëm të qeshësh me situatat e krijuara prej ngatërresave e krijuara pikërisht nga komunikimi virtual mes njerëzve, por edhe të reflektosh mbi largësinë shpirtërore që kanë mbjellë rrjetet sociale.
Kujtojmë se Festivali i Parë i teatrit u zhvillua në vitin 1962. Nga festivalet më të në ka qenë i katërti, më 1969, kur fitoi trupa e teatrit “A.Z. Cajupi” në Korcë me “Njollat e Murrme” të Minush Jeros e Mihal Luarasit, vepër të të cilën u dënuan autorët e saj nga diktautra komuniste.