Poeti disdent Havzi Nela, i cili u var nga regjimi komunist, 30 vjet më parë, në sheshin e Kuksit, prezantohet denjësisht në Panarin e Librit. Eshtë “Klubi i poezisë” që e sjell të plotë veprën e tij poetike, “Shtatë fletore”, së bashku me dy botime të tjera, një numër special i revistës letrare “Illz” dhe librin me shkrime e konsiderata të shkrimtarëve dhe personaliteteve të njohura për poetin Havzi Nela, të titulluar “Shpirti i lirë i Lumës, Shkrimtarët për Hanzi Nelën”. Këto botime vijën pas vendosjes së bustit të poetit në vendlindjen e tij, në gusht 2018, me rastin e 30-vjetorit të ekzekutimit. “Havzi Nela është heroi i vërtetë, njeriu dhe poeti më antikonformist, që qëndroi, që nuk iku, që nuk tha më fal, që nuk kërkoi mëshirë, që nuk u jargavit, që nuk vdiq në krevat, që nuk u vra duke ikë, që tha hapur që nuk ju dua, që tha po, kam folur kundër e jam kundër sistemit komunist, i kam thënë të gjitha çfarë thoni ju, çfarë të doni ju”, shkruan Rexhep Shahu. Këto botime janë përgatitur nga Rexhep Shahu e Izet Duraku.
“Havziu mbetet Orfe i Lirisë. Ai është shpirti i Lirisë. Dhe pse krimet e komunizmit ende s’janë dënuar siç duhet, edhe pse vegla qorre të asaj kohe, ekzekutorët e tij gjaktftohtë, si struci mbrohen pas paragrafëve që shkoi liria, poet Havzi Nela tash prehet i qetë. Vepra e tij poetike me kohë ka dalë nga burgu dhe tashmë është në duart e lexuesit”, shkruan Duraku.