Soprano Arlinda Morava, koncert për 28 Nëntorin në skenën e Bukureshtit

Tuesday, 27 November 2018 15:48

Një mbrëmje të paharruar solli në skenën e Bukureshtit, Rumani, aktiviteti kushtuar 106 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Emocionet shoqëruan këtë mbrëmje, duke interpretuar artistë njohur. Bukureshti sërish kuq e zi, 106 vjet më pas në të njëjtën lagje, ku u ngjiz ideja gjeniale e Shqipërisë së Pavarur. Një mbrëmje magjike, plot sharm, finesë dhe kulturë, e denjë për festën më të bukur të shqiptarëve, Ditën e Flamurit, që vetëm artistja jonë, soprano e mirënjohur Arlinda Morava, Atashe Kulturor në Ambasadën e Shqipërisë në Rumani di të organizojë. Në një mbrëmje të paharrueshme, në Pallatin Sutu, nën tingujt e veprave më të njohura të muzikës klasike operistike, por dhe si një dhuratë për publikun artdashës, rumun, në vigjilje të kësaj feste pan shqiptare, jo vetëm që përmbushi kënaqësitë artistike të publikut , por ofroi dhe çaste të magjishme muzikore të kënduara mjeshtërisht nga sopranoja e mirënjohur Arlinda Morava, e cila me një teknikë të përsosur vokale, veprime të matura e frazim plot shije, arrin një shkallë bindëse në shtjellimin e saj vokal e artistik, duke transmetuar me finesë rolin shprehës së të kënduarit dhe aktrimit. Ky eveniment solli nën një repertor magjepsës kryeveprat e muzikës operistike të Verdit, Puçinit, Bizet apo dhe këngët e famshme lirike korçare. Nuk mund të mungonin zonjat e fisshme të “Bucharesht Ladies Quintet” , të drejtuara me plot virtuozitet nga violinistja Andrea Stefanescu. E përditshmja “Bucharest Daily News” shkruante me kapital “106 Vjetori i Pavarësisë Festohet në Rumani”, dhe theksonte faktin e organizimit të këtij eventi nga sopranoja Morava, si dhe evidentonte si vlerë të shtuara të mbrëmjes pjesëmarrjen e Dorotheea Petre, aktores më të famshme rumune, e cila interpretoi me mjaft mjeshtëri poezi të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.  Kjo mbrëmje u në Bukuresht, Rumani, në vijim të aktiviteteve dhe veprimtarive të tjera që janë organizuar nga soprano Arlinda Morava. Me një aktivitet artistik në skena, ku nuk ka munguar as në ato shqiptare duke marrë shumë vlerësime, këtë herë vëmendja e saj ishte në një tjetër veprimtari që u zhvillua me sukses. Talenti dhe popullariteti i sopranos së mirënjohur shqiptare Arlinda Morava në botën e artit në Rumani i sjell një shërbim të çmuar Shqipërisë. Krenaria e saj për përkatësinë kombëtare manifestohet në çdo shfaqje ku ajo interpreton, ndërsa suksesi duket se ndjek sa herë që ngjitet në skenën operistike, dhe me dhjetëra role të kryeveprave botërore i kanë dhënë një vend të çmuar në art dhe kulturë. Edhe projekti i sopranos Morava për të promovuar kulturën shqiptare përmes nismës “Shqipëria, tokë legjendë” pati jehonën e tij. Sopranoja lirike Arlinda Morava e njohur për aktivitetin shumë të ngjeshur artistik, si dhe suksesin e saj në skenën operistike shqiptaro-rumune, dhe në ato evropiane ka organizuar dhe aktivitete të tjera që kanë mbetur të paharruara për publikun. Në Muzeun Bashkiak të Bukureshtit disa kohë më parë spektakli artistik shqiptaro- rumun me muzikë, balet dhe poezi, dedikuar publikut rumun, si dhe qindra shqiptarëve që jetojnë dhe studiojnë prej vitesh në Rumani u konceptua dhe u organizua nga sopranoja e mirënjohur Arlinda Morava.    

Login to post comments