Fakulteti i Arteve të Bukura promovon Bienalen e Universitetit të Arteve

Tuesday, 27 November 2018 15:58

Artistët dhe pedagogët e arteve janë bërë bashkë në ekspozitën "Proçes”, që është e shpërndarë në tre galeri arti, FAB, “Zenit” dhe “Kalo”. Kuruar nga Ilir Kaso, ekspozita ndërthur procesin krijues me atë pedagogjik dhe shkencor, duke mundësuar simpoziume, punëtori dhe biseda të hapura mbi çështje të artit dhe pedagogjisë. Nga 26 nëntor deri më 16 dhjetor jeta artistike do të jetë prezente në tre hapësira galerish për të diskutuar mbi artin pamor me vizitorët dhe njerëzit që e duan artin. “Proçes” e vlerësuar si ngjarje kulturore prezantohet para publikut me pikturën, skulpturën, instilacionin, fotografi dhe videoart. Sipas organizatorëve janë punime të reja nga artistët pedagogët e arteve, por dhe krijime që janë realizuar në vite. Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura prof. asc. Ardian Isufi tregon se përmes këtij aktiviteti kulturor krijohet një format Bienaleje e Universitetit të Arteve në Tiranë. “Ekspozita vjen sipas formatit, art, krijimtari artistike, por do të jetë dhe kërkimi shkencor, alumni dhe workshope.  Janë pothuajse të gjitha mediumet që prezanton sot arti bashkëkohor. Me këtë ekspozitë po krijohet një format Bienaleje e Universitetit të Arteve. Ne kemi të ftuar edhe artistë nga Italia, pedagogë apo dhe studentë. Pra “Proçes” është shumë e gjerë dhe e hapur, duke marrë një karakter komplet të ri, duke i dhënë dinjitetin e duhur ekspozitës së pedagogëve dhe Fakultetit të Arteve të Bukura nëpërmjet Universitetit të Arteve”, pohon dekani Isufi. Emra të njohur të artit pamor bashkëkohor janë bërë bashkë në ngjarjen kulturore “Proçes” dhe krahas prezantimit të veprave të artit me filozofi të fortë social politike, ata nisin edhe procesin e diskutimit të artit pamor. Sipas dekanit Ardian Isufi, “Proçes” është një event i shpërndarë në tre galeri për ti dhënë më shumë hapësirë. “Në këtë ekspozitë janë punime të reja, që janë realizuar nga profesorët e arteve por dhe të punuara në vite. Do të ketë projeksion filmi dokumentar, si dhe aktivitete të tjera nëpër të tre galeritë përkatëse, ku është ekspozita”, shprehet dekani Ardian Isufi.

Artistët pjesëmarrës

Artistët me krijimtarinë e tyre në “Proçes” janë Albes Fusha, Arben Bajo, Ardian Isufi, Ardian Pepa, Edison Çeraj, Edmond Gjikopulli, Ergys Krisiko, Ermal Baboçi, Fatmir Miziri, Florian Haxhihyseni, Gazmend Leka, Harri Aleksi, Kreshnik Xhiku, Merita Selimi, Mikel Temo, Orlis Vathi, Sadik Spahija, Shpëtim Kërçova, Viktor Ferraj, Vladimir Llakaj dhe Vladimir Myrtezai.   Kuratori Ilir Kaso shprehet se fotografi Gjon Mili me fotot e tij të 1949 ka qenë frymëzim për këtë edicion. “Këtë vit, kemi zgjedhur artistin e mirënjohur në fushën e fotografisë botërore Gjon Mili, i cili do të jetë personazhi honorifik për këtë edicion. Ne u frymëzuam nga një seri fotografish, që Mili ka realizuar në vitin 1949 dhe vendosëm të zgjedhim fjalën “proçes” për ndërtimin e këtij aktiviteti, duke menduar se procesi krijues është elementi thelbësor në veprimtarinë artistike dhe atë shkencore”, shprehet kuratori Kaso. Pavarësisht hapësirës, që ofron galeria FAB, sipas kuratorit është ndërtuar një hartë me dinamikë më të gjerë veprimi, duke bashkëpunuar me galeritë “Kalo” dhe “Zenit”. “Duke u zgjeruar në hapësirë, ky aktivitet kërkon gjithashtu të zgjerohet edhe në kohë, ndaj kemi ndërtuar një program të mirëdetajuar”, pohon kuratori Kaso. 

Login to post comments