Istref Haxhillari
Ishte shtatori i largët 1968, viti i kremtimit të pesëqind vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kur djaloshi pogradecar, Anastas Kostandini, shkelte në studion e piktorit të popullit, Sadik Kaceli, themelues i Liceut Artistik, e vetmja shkollë arti e kohës, shoqëruar nga i ati, Gjergji. Nën sqetull mbante tablonë “Beteja e Torviollit“ me të cilën heroi ynë kombëtar nisi aventurën çerek shekullore të pavarësimit të Arbërisë nga Perandoria Otomane. Po atë vit në qendër të Tiranës ngrihej monumenti i Skënderbeut mbi kalë që do t‘i jepte emrin dhe identitetin sheshit historik më të madh të kryeqytetit shqiptar.
Profesor Kaceli që kishte kaluar nëpër duar sa e sa rishtarë, u mahnit nga punimi i adoleshentit simpatik. Tabloja kishte densitet të pazakontë elementesh pikturimi, luftëtarë të arbrit dhe jeniçerë të Sulltanit, heshta primitive dhe topa të kalibrit të rëndë, sfond mjeshtëror të fushës së betejës dhe qiellit gri të asaj dite historike. Peizazhi, portretet arbërore dhe pamjet e ushtarëve turq jepeshin me kolorit bindës, sa vështirë të besoje se i kishte hedhur në telajo një fëmijë 14-vjeçar.
Kështu nisi rrugën e artit një emër që do të bëhej nga më të lakuarit në qytetin liqenor dhe gjithë Shqipërinë. Piktori i ri hynte në sfidën e jetës me penelin e piktorit për udhërrëfyes dhe motivin skënderbejan për marsh beteje.
Vitet që erdhën qyteti i lindjes, liqeni emblemë, Mali i Thatë, rrethinat përqark u bënë frymëzimi i tij, lënda nga morën jetë qindra e mijëra tablo në të gjitha zhanret e penelit. Punimet plot dinamikë dhe lirizëm, gjithnjë në kërkim të artit modern bashkëkohor dhe stilistik, pikturat kushtuar historisë lokale me ndikim nga vepra e Lasgushit dhe Mitrushit, të cilëve u kushtoi disa ekspozita, janë thesar i paçmuar për të sotmen dhe të ardhmen, janë historia e paretushuar e qytetit dhe njerëzve të thjeshtë.
Sot, 50 vjet më këtej, Taso, tashmë piktor i afirmuar, pas 2000 punimesh në të gjitha gjinitë, pas ekspozitave mjeshtërore në Shqipëri, Amerikë, Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Rumani, Maqedoni, pas një përvoje mahnitëse në artin pikturik dhe çmimeve të shumta brenda e jashtë vendit, vjen me ekspozitën për Skënderbeun, tashmë në 550 vjetorin e vdekjes së tij. Ky është dhe viti i pesëdhjetë i Tasos në udhën e rrëpirët të pikturës, larg kryeqytetit ku sundon zilia dhe ambicia.
Nëpër mote, teksa hidhte në telajo motive të panumërt të traditës dhe përtej tyre, hera-herës i kthehej Skënderbejadës së vet si një dashnor i këndelltë që i kthehet gjithë nostalgji dashurisë së parë. Figura e heroit, betejat e tij të veshura me misterin e kohës i pushtojnë fantazinë, nuk e lënë të qetë. Në këtë ekspozitë unike në llojin e vet, vijnë me radhë betejat dhe episodet legjendare të kryeheroit në teknikën e vajit e gravurës, Cikli i gravurave nga historia e tij, seria e gjashtë kështjellave me kombinim të gravurës e pikturës që gjenerojnë madhështi jashtëkohore dhe legjendare, deri tek jeta e njerëzve të thjeshtë mes betejave të paprera dhe tragjedive të vazhdueshme. Duket se piktori mban një premtimin që i ka bërë vetes kur u paraqit për herë të parë në studion e mjeshtrit Kaceli 50 vjet më parë.
Në të gjitha punimet shpaloset arti i pa të dytë i Tasos, piktorit që jeton pranë liqenit meditativ të dritës, këtij kërkuesi dhe eksperimentuesi elegant, shpesh i paparashikueshëm.