Kantautori Elton Deda prezantohet në Fest’ 57 me “Qetësisht”, një këngë për jetën.
“Pas gjithë gjërave që kam kaluar në jetë, i them jetës që unë ty do të të kuptoj qetësisht, do të të marr qetësisht. Nuk përleshem dot me jetën.” – tregon kantautori për mesazhin e këngës në intervistën e tij për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”. “Jeta më ka përballur me të papritura të çuditshme, më ka krijuar gjendje të çuditshme, më ka hedhur me një dorë e më ka pritur me tjetrën, më ka groposur, më ka ngritur. Të githa këto amplituda shumë të mëdha janë të rrezikshme për shëndetin e një njeriu. Ndaj i them jetës që dua të të kuptoj qetësisht.” – shpjegon më tej Deda duke zbuluar edhe një varg të këngës: “Kurrë s’do më duash siç të dua unë. Unë të dua më shumë, dua të jem i pavdekshëm.”
Përveçse konkurrues në festival, Eltoni është edhe drejtues i bendit muzikor. “Kam fatin e madh të drejtoj edhe bendin, një lidhje me Orkestrën që e dua dhe e çmoj jashtë mase. Më duket sikur eci në gjurmët e babait tim Ferdinand Deda.” Kantautori tregon se festivali është një sfidë dhe se vlerëson që gjithçka aty është live. “Festivali është një sfidë e madhe, një nga më të mëdhatë e vitit dhe e marr me shumë qejf. Gjithmonë do t’i qëndroj idesë, madje i kam premtuar vetes që festivali të jetë live në jetë të jetëve.”