Flori Slatina
Sot u shua një nga aktorët e veçantë të Teatrit Kombëtar, një emër i shquar i plejadës së vjetër, aktori që skaliti sa e sa figura në skenë dhe ekran, Luan Qerimi. Ai ishte mjeshtri i fjalës, aktori i veçantë, në jetën e përditshme, i thjeshtë, i butë, i dashur, krenar dhe i ndershëm deri në admirim, mjaft komunikues, gëzonte respektin dhe dashurinë e gjithë popullit që e deshi dhe e duartrokiti gjatë, për 35 vjet në skenën e TK e dhjetëra herë në sallën e madhe të kinemasë…
U shua në Tiranë, pranë familjes së tij, në moshën 89-vjeçare, kur prej kohësh pleqëria dhe sëmundjet e moshës e kishin bërë të vetën. Ai shkoi si shumë të tjerë, i harruar nga shteti. Të vjen keq kur mendon se një artist i nderuar si Luan Qerimi, një nga aktorët tanë veteranë që po shkonte drejt të 90-ve, u la i harruar nga shteti e qeveritë e majta e të djathta, për 28 vjet, njëra pas tjetrës. Askush nuk u kujtua për të nderuar artistin me një titull, një urdhër apo një çmim... Iku një ministër, erdhi një tjetër, iku një president, erdhi një tjetër... një i kuq, një rozë, një blu e një mavi... “Gjeneralit” nuk ka kush t’i shkruajë... ai jetoi mes kujtimeve dhe dashurisë së njerëzve e popullit të tij!
Luan Qerimi u përcoll për në banesën e fundit, por la pas pas gjurmë, gjurmë të pavdekshme, me një galeri të pafund rolesh, karakteresh që nuk arrihen lehtë, personazhe që të bëjnë për vete e që nuk i harron dot. I përjetshëm qoftë kujtimi, emri dhe vepra e tij!
***
Luan Qerimi u lind më 15 tetor 1929 në Lushnjë. Fillimet e tij i përkasin lëvizjes amatore ashtu si shumica e artistëve tanë. Para se të vinte në Teatrin Kombëtar në dhjetor të 1954-s, Luan Qerimi ka një kontribut në Teatrin e Ushtrisë, aty ku ra në sy talenti i tij.
Në moshën 25- vjeçare, aktori i ri trokiste në dyert e Teatrit Popullor. Një ëndërr që për fatin e tij u realizua e që shumë të tjerë e ëndërruan prej vitesh. Ishte koha e të mëdhenjve Naim Frashëri, Mihal Popi, Andon Pano, Pjeter Gjoka, Loro Kovaçi, Kadri Roshi, etj. Por që për Luanin kjo ishte shkollë më vete dhe shumë shpejt ai do të matej me ta e do të dublonte, pse jo edhe këta mjeshtra të aktrimit.
Në listën e gjatë të roleve në TK, Luani e nis me një rol episodik nga komedia “Prefekti” në vitin 1954. Përballë Mihal Popit, kolosit të skenës, Luani debutonte në rolin e Skënderit. Një nisje e mbarë. Mbi 70 role në skenën e Teatrit Kombëtar, me mijëra shfaqje për mëse 35 vjet në skenë, Luan Qermi e gjithë brezi i tij mbajnë mbi shpatullat e tyre një histori të tërë, që meriton veç mirënjohje. Padyshim në këtë mori personazhesh, z. Qerimi mbahet mend për kryerole të tillë në pjesët “Toka jonë”, “Orët e Kremlinit”, “Otello”, “Hamleti”, “Dragoi i Dragobisë”, “Përkolgjinajt”, “Cuca e maleve”, “Arturo Ui”, “Epoka para gjyqit”, etj. Për fat të keq, shumë pak, disa pjesë qarkullojnë të regjistruara nga ai repertor i pasur i aktorit në Teatrin Kombëtar, por edhe ato pak pjesë dëshmojnë për talentin dhe fuqinë e tij të interpretimit.
Krahas teatrit, Luan Qerimi ka një kontribut jo të vogël edhe me filmin artistik shqiptar. Ishte viti 1964, kur regjisori Hysen Hakani i propozoi atij një rol në filmin “Toka jonë”, një rol të cilin e kishte luajtur edhe në skenën e TK. Një rol i vogël, por që mbahet mend sepse ky personazh ishte pika kulminante e gjithë shfaqjes.
Por shpërthimin e tij artistik Luan Qerimi e pati në disa role në mesin e viteve 70-të, duke nisur me filmat “Lulëkuqet mbi mure” e Shembja e idhujve”, dy role shumë të goditur që futen në repertorin e zgjedhur të aktorit. Më pas interpretoi edhe në mbi 10 filma të tjerë si p.sh në filmat “Nëntori i dytë”, “Gracka”, “Eja”, “Koha nuk pret” e me radhë.
Luan Qerimi ka qenë një nga aktorët më të angazhuar në emisionet e njohura të radios e televizionit, si “Teatri në mikrofon”, “Teatri në ekran”, Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, radiodramatizimet e fëmijëve, etj., i ngarkuar me mbi 200 role kryesore. Ka realizuar me mjeshtëri të lartë mbi 80 role në Teatrin Kombëtar dhe mbi 15 role në kinematografi.
Në agun e demokracisë, Luan Qerimi e mbyll karrierën e tij me filmin “Vdekja e kalit”, një rol i dyfishtë, ku Luan Qerimi interpreton rolin e një oficeri, që bie viktimë e sistemit komunist. Zhgënjimin, Luan Qerimi e përjeton edhe në ideologjinë të cilën ai e shumë të tjerë e përjetuan, ndoshta besuan edhe verbërisht. Gjithsesi, këto vite të gjata tranzicioni ka shërbyer për të gjithë si një periudhë reflektimi. Në karrierën e tij është vlerësuar për rolet e tij, por që prej vitit 1989 ai mban titullin e lartë “Artist i merituar”.
Për mëse 35 vjet rresht, “Artisti i merituar” Luan Qerimi spikati në artin tonë teatror si një aktor me vlera të vecanta e të padikutueshme, partner i denjë i kolosëve të skenës shqiptare. Janë mbi 70 premiera, 70 role të cilat flasin për mjeshtërinë e talentin e tij, duke filluar nga viti 1954 e deri në vitin 1990. Një aktor i shkëlqyer i Teatrit Kombëtar, mjeshtëria e të cilit nuk binte aspak më poshtë se kolegët...
***
“Luan Qerimi është një aktor me një plastikë e pamje të bukur. Ka një zë të thellë bariton, me një të folur të qartë, rëndom në tone të ulta e me parapëlqim kahet psikologjike. Shquhet për një qëndrim e interpretim të bukur skenik, komunikues me spektatorin, spontan dhe mjaft i besueshëm në të folurën dhe lëvizjet e tij...”
Josif Papagjoni
Role ne teatër:
“Prefekti”
“Toka jonë”,
“Orët e Kremlinit”,
“Shtate Shalianet”
“Qeni i kopshtarit”
“Muri i madh i pakapërcyeshëm”
“Otello”,
“Hamleti”,
“Dragoi i Dragobisë”,
“Përkolgjinajt”,
“Cuca e maleve”,
“Mbi gërmadha”
“Monserati”
“Heronjtë e Linasit”
“Doktor Aleksi”
“Ngjarje ne fabrike”
“20 dite”
“Fytyra e dyte”
“Sinjali i kuq”
“Arturo Ui”,
“Lulet e Shegës”
“Bashke me agimin:
“Furrnalta”
”Gjëmimi i atij dimri”
“Lumi i vdekur”
“Epoka para gjyqit”,
“Shënomëni dhe mua”
“Gryka e nëmur”, etj.
Role ne film:
1964: Toka jone (cubi)
1976: Lulëkuqet mbi mure (kuestori)
1977: Shembja e idhujve (Kalosh Cami)
1982: Nëntori i Dyte (Sali Drenica)
1982: Besa e kuqe (plaku i Perkolajve)
1983: Gracka (Majku)
1983: Koha nuk pret (ndërlidhësi)
1984: Zambakët e bardhe (babai i Luljetës)
1985: Te paftuarit (zyrtari i Mbretit)
1985: Dasma e shtyre
1987: Eja (Moisiu)
1987: Telefoni i një mëngjesi (Andrea)
1990: Shpella e pirateve (Gjon Baba)
1991: Vdekja e kalit (zyrtari i larte)
1992: Pas fasades (babai)