Viti i Kulturës Austri- Shqipëri, Zamir Kabo koncert në piano

Hënë, 10 December 2018 16:02

Shoqata e Miqësisë Austri- Shqipëri dhe Ambasada e Shqipërisë në Vjenë me mbështetjen e “Vienna Insurance Group” organizuan Koncertin Solo Piano, në të cilin shfaqi talentin e tij artisti i ri shqiptar Zamir Kabo,  i diplomuar së fundmi edhe nga Universiteti Mozarteum i Salzburgut. Nderoi me pjesëmarrjen e saj Elisabeth Gehrer, ish Ministre e Arsimit e Republikës së Austrisë, aktualisht Kryetare Nderi e Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri. Fjalën e hapjes në këtë mbrëmje kulturore e mbajti përfaqësuesi i Vienna Inssurance Group, anëtar i bordit drejtues, Peter Hoefinger. Pasi uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me ambasadën shqiptare ndër vite dhe për këtë organizim së bashku me shoqatën e miqësisë. “Vienna Insurance Group” është ndër kompanitë më serioze dhe më të mëdha në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Aktiviteti dhe investimet e saj në vendin tonë kanë ardhur në rritje duke siguruar pozicion të rëndësishëm në tregun e sigurimeve. Të pranishmit u përshëndetën edhe nga Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo dhe Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri, Ambasadori Arno Riedel. Nderuan me prezencën e tyre përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri si dhe diplomatë të Departamentit të Kulturës të Ministrisë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë. Aktiviteti u zhvillua në kuadrin e Vitit të Kulturës Austri- Shqipëri 2018.

Login to post comments