“Ngjyra në dimër” e ka titulluar piktorja Shpresa Milaqi Bajko ekspozitën e saj të pestë personale, e cila është hapur në Durrës këto ditë.
E mbështetur në teknikat e vajit dhe akuarelit, ekspozita sjell 76 tablo për artdashësit që vizitojnë galerinë “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar.
Artisja durrsake ka hedhur në telajo kompozime me temë nga jeta e Durrësit dhe qytetarëve të tij. 43 punimet në akuarel, se bashku me kompozimet në vaj që paraqiten në këtë ekspozitë, janë dëshmi e rritjes profesionale të piktores Shpresa Milaqi Bajko, e cila brenda pesë viteve të fundit ka hapur ekspozitën e pestë të saj.
Përveç pjesëmarrjes në ekspozita kolektive brenda vendit, piktorja durrsake ka marrë pjesë edhe në disa konkurrime ndërkombëtare kushtuar punimeve në akuarel, si në Indonezi, Itali, në Republikën Çeke, Bangladesh, etj.
Portretet, natyrat e qeta, kompozimet dhe peizazhet e kësaj ekspozite janë mirëpritur nga shikuesit.