Shkrimtari më nuk përbën lajm!

Tuesday, 18 December 2018 15:42

Dialogu me Sylvia Iparraguirren – ndër shkrimtaret më të mëdha të sotme në Amerikën Latine – është i “pafundmë”. Ajo nuk është veç shkrimtare e madhe; është një femër që ka përshkuar periudhën më të ndritshme e më të errët të historisë argjentinase. Ka jetuar diktaturën ushtarake dhe ka qenë nxënëse e Jorge Luis Borgesit; ka shkruar kur të shkruarit në vitet 1970 ishte një gjest rebel dhe ka njohur Cortazarin… Bujaria e saj, sa e pastër dhe çarmatosëse, nuk resht së habituri në këtë kohë që edhe budallenjtë e besojnë veten se janë diva.

Cili ka qenë raporti juaj me shkrimtarët argjentinas, si për shembull me Borges dhe Cortazar?

 

Borxhi im me traditën letrare argjentinase do të mbushte një bibliotekë të tërë. Ka një linjë e cila nis në shekullin XIX – e kaluara e të gjithëve neve – që përbën ADN-në e të gjithë shkrimtarëve argjentinas. Në epokën bashkëkohore: avantgardistët e viteve 1920, kur nisin të shkruajnë mjeshtrit e mëdhenj, si Borges, Roberto Arlt dhe Leopoldo Marechal. Më pas, në vitet 1940, kur nisin të botojnë Ernesto Sabato, Adolfo Bioy Casares, Silvina Ocampo dhe Cortazar.

Kjo është yjësia më e ndritshme e shkrimtarëve të mëdhenj argjentinas…

Si adoleshente, ajo që më goditi vërtet nga veprat e Borgesit dhe Cortazarit, ashtu si edhe të Sabatos, qe nxjerrja në plan të parë e një gjuhe: gjuhës letrare të argjentinasve. Qe një zbulim vendimtar. Një bashkëbisedim i lidhur me përditshmërinë… Dhe, një humor tipik argjentinas…

Përjashto letërsinë argjentinase dhe të gjitha degët e saj, në gjenealogjinë time letrare kanë luajtur një rol domethënës letërsia e Amerikës Veriore (Faulkner, Hemingway, Carson McCullers, Flannery O’Connor, Salinger, Capote, Thomas Wolfe) dhe ajo angleze, për të mos thënë irlandeze: Woolf, Joyce, motrat Brontë, Katherine Mansfield, Dylan Thomas, William Trevor… Letërsia japoneze është e pranishme edhe në leximet e mia, si Mishima, Kenzaburo Oé, Akutagawa. Si rregull, kam një adhurim edhe për rusët, nga Pushkini tek Çehovi.

Le të vijmë tani tek pjesa tjetër e pyetjes tuaj. Borges ka qenë pedagogu im i Letërsisë Angleze në Universitetin e Buenos Airesit. Kisha lexuar “Ethe Buenos Airesi” (Fervor de Buenos Aires) në shkollë. Toni delikat, intim, i ngrohtë i të gjitha vargjeve të Borgesit bëri që në moshën 15-vjeçare iu afrova atij dhe veprës së tij me natyrshmëri absolute.

Pas universitetit, e takova shumë herë Borgesin në shtëpinë e tij në Rrugën Maipu. Në vitin 1983, unë, Borgesi dhe Abelardo ndamë një natë të paharrueshme. Si shkrimtare, shembulli i Borgesit ka qenë themelor: vullneti i tij stilistik ishte që të lëvizte drejt thjeshtësisë. Të jetuarit e tij për letërsinë ishte një modus operandi; përkushtimi i tij në përdorimin e fjalëve, në shprehjet idiomatike, në humorizmin anakronik të shprehjeve të caktuara, dhe semantika e spikatur e tij kanë qenë shembuj të përkushtimit për artin e të shkruarit. Konstatimi se letërsia ishte tema e pandashme – në pikën që çdo bashkëbisedues, sado absurde që të ishte pyetja, gjendej menjëherë i zhytur në universin e Borges – dhe afirmimi i përsëritur për t’u ndjerë, më parë se shkrimtar, një lexues krenar, e kanë forcuar në mënyrë të zjarrtë admirimin tim për veprën e tij.

Si lexuese, Borgesi ishte mjeshtër i vërtetë, me arbitraritenin e tij të vërtetë dhe shpërfillës. I shtohen modestia autentike, shembullore, që e njoh prej përvojës së drejtpërdrejtë; një thjeshtësi thuajse e habitshme dhe të qenit totalisht i ndershëm kur argumenti ishte i tipit letrar. Posedonte një ironi dhe një sarkazëm vdekjeprurës. Mendoj se Borgesi, ashtu si Almotasimi, në mos shenjtëri, rrezatonte letërsi dhe që ne, shkrimtarët argjentinas, në një mënyrë apo në një tjetër kemi dëshiruar të gjithë që t’i afrohemi atij vezullimi.

Gjithmonë në ato vite, kur isha midis 15 dhe 16 vjeçëve, lexova për herë të parë Cortazarin, “Udhëtimi premio” (Los premios). Më pas lexova “Loja e botës” (Rayuela), një revolucion për lexuesin argjentinas, por që ka qenë libri i parë që më ka shënuar më shumë, si edhe tregimet e tij fantastike.

Cortazari e ka paraqitur tregimin fantastik (një traditë argjentinase) në terma të pazakontë: një e çarë në mes të ditës… Cortazar ishte një njeri magjepsës, jashtëzakonisht i sjellshëm, që fliste me zë si të mbytur, në një raport çuditërisht të përmbysur me gjatësinë e tij prej pothuajse dy metrash. Ishte i mbështjellë nga një aureolë e caktuar prej të pambrojturi, gjë që përtej adhurimit që ngjallte bënte që ta doje menjëherë. Unë e kam dashur menjëherë.

Kërkimi juaj letrar është zhvilluar në vetmi?

Për nga natyra, puna e shkrimtarit është vetmitare. Kam pasur fatin që ta ndaj jetën me një shkrimtar tjetër, gjë që e ka vënë letërsinë në qendër të bisedave dhe të diskutimeve tona të çdo lloji: lidhur me stilet, preferencat, autorët dhe veprat. Siç e kam thënë më parë, ia lexonim njëri-tjetrit tekstet, dorëshkrimet me dashuri, por ama pa indulgjencë.

Çfarë roli ka sot shkrimtari në shoqërinë argjentinase? Trajtohet me indiferencë, me respekt, ka ndonjë rol “publik”?

Asnjë rol ose, gjithsesi, një rol të kufizuar, gjithnjë e më shumë të kufizuar. Vendi i tij është zënë nga personazhet televizive, nga modelet apo nga sportistët. Mjafton të shikohet nga shpejtësia me të cilën riprodhohet realiteti në të ashtuquajturat “media” për të kuptuar se shkrimtari jo vetëm që nuk përbën lajm, por se nuk ka as një vend në to.

Një libër i mirë, ashtu si një libër i madh, duket se në këtë kontekst bien si një pikë uji në shkretëtirë. Vendi i shkrimtarit sot është ai që i caktojnë suplementet letrare, revistat dhe tryezat e rrumbullakëta. Shkrimtari nuk e ka një rol publik dhe me peshë të madhe siç e ka pasur në gjeneratën e viteve 1960, ku (të paktën disa shkrimtarë) përfaqësonte një rezervë etike.

Tani ka pushuar së interesuari si personazh, si dikush që ka diçka për të thënë. Prania e shkrimtarit zgjat në mënyrë anësore, në mënyrë më pak të dukshme, nëpërmjet intervistave dhe artikujve të gazetave.

Ka programe të shkëlqyera televizive ku shkrimtari apo shkrimtarja mund t’ia thonë botës atë që mendojnë dhe të arsyetojnë mbi çështje të caktuara të estetikës letrare që nuk zbresin në veprën e tyre. Megjithatë, mendoj se sot është e shëndetshme për shkrimtarin kjo gjendje kaotike. Në shtëpi, në kafene, në mbledhje midis shkrimtarësh miq, letërsia dhe poezia ndjekin rrugën e tyre. /Pangea/Përgatiti: Armin Tirana/bota.al/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...