Aktorja dhe regjisorja amerikane, Penny Marshall, e njohur për interpretimin në serialin televiziv komik “Laverne & Shirley”, po kujtohet sot me mall nga miqtë dhe artëdashësit. Ajo u nda nga jeta të hënën në moshën 75 vjeçare, për shkak të komplikimeve të shkaktura nga sëmundja e diabetit.
Penny Marshall u bë e njohur për teleshikuesit amerikanë nga seriali komik “Laverne & Shirley” ku, së bashku me aktoren Cindy Williams, portretizonin dy shoqe pune në një fabrikë birre në Miuaki. Komedia zgjati tetë vjet, nga 1976-1983 dhe ende kujtohet nga teleshikuesit:
“Komedia ‘Laverne & Shirley’ ishte e mrekullueshme. Ishte fantastike, prandaj e vlerësoj atë aktore,” thotë David Hunt, banor në Los Anxhelos.
“Të gjithë e kujtojnë atë komedi që filloi në vitet ’70. Kemi kujtime të mira. Ajo ishte humoriste shumë e mirë, dukej që ishte plot energji,” thotë Stuart Jewett nga Los Anxhelosi.
Penny Marshall interpretonte Laverne DeFazio, një grua me një gjuhë të mprehtë. Ajo e afirmoi veten si artiste në komedinë pasuese “Happy Days”. Të dyja serialet u krijuan nga vëllai i saj, Garry Marshall.
Në rolin e regjisores ajo punoi në filma si “A League of their Own,” “Jumpin’ Jack Flash,” dhe “Awakenings.” Komedia “Big” e vitit 1988, me aktor kryesor Tom Hanks, u bë filmi i parë me regjisore grua që fitoi mbi 100 milionë dollarë.
“Ishte e guximshme. Ishte njeri i përsosur, gjithmonë bujare. Ajo ndihmoi shumë gra të tjera në industrinë e filmit por edhe përtej,” thotë një vizitore nga Nju Xhërsi.
Penny Marshall shkroi një libër kujtimesh të titulluar “Mamaja ime ishte e Luajtur nga Mendtë” ku përshkruante fëmijërinë e vështirë që e kishte përballuar me sens humori. Ajo shkruan edhe për martesën me aktorin Rob Reiner dhe për marrëdhënien me këngëtarin Art Garfunkel.
“E mora Robin në telefon, se është i martuar me tre fëmijë, prandaj i thashë: ‘Kam shkruar një libër ku flas edhe për ty. E mban mend kush ishte fotograf në dasmën tonë?’ M’u përgjigj se dasma u bë në vitin 1971. Pastaj më pyeti nëse kisha shkruar gjëra të tjera në libër,” tregon artistja pas botimit të librit.
Yje të Hollivudit dhe plot figura publike postuan dje komente në median sociale në nderim të artistes Penny Marshall./voa