Kartolina e fundit e Anisa Markarian!

Premte, 04 Janar 2019 11:17

Ti 20 vjeç, unë 18. Të sapofestuar. Këtu e 2000 vjet më parë…

Unë, maturante tek «Samiu». Vështrimin të ngultë, frymën aromë lule blini. Quhem Amfitrita. Valët gërgas, i degdis të kullotin viseve të tua.

Ti je Poseidoni. Burrërinë shtrëngatë, flokët gështenjë deti, lëkurën të mjaltë. Dheun tund e shkund me një goditje tredhëmbëshi.

Ku e flaka krenarinë femërore, kur pranova të bëhem «gjëjthja» jote?

– Në dashuri s’ka unë, apo ti. Jemi një. S’ka sedër, as krenari. – më mëson ti. – Ka veç: bashkë, pa kufij. Shkojmë aq larg sa duam, ndalojmë kur të duam.

– Më thuaj, përse zgjodhe molin tim?!

– I vetmi që e kishte fenerin të ndezur…

Të kredhur kollotumbthi në shtjellën dritargjendtë, u gjetëm, u nuhatëm, u përputhëm. Si dy shpirtra binjakë të ndarë fill pas lindjes, çdonjëri me gjysmëçelësin e kodit gjenetik rreth qafës. Ti dhe unë. Të përkundur në flluskën amniotike të ndjenjës-uragan, formuam të tërën. Jashtë botës. Jashtë kohës…

– Ç’shije kishin 18 vjetët e mi? – të pyes qepallërrëzuar.

– Të purpurt.

– Nuk është shije, është ngjyrë.

– Puhizë vanilje.

– Është aromë, jo shije.

– Nektar luleshtrydhesh! – humbet durimin ti. – … Po 20 vjetët e mi?

– Musht kaktusi.

Histori e moçme, e jona; qëkurthi e qëndisur në defterët e mitologjisë. Të hipur në qerren diellore që shket mbi pasqyrën e ujërave, Poseidoni dhe Amfitrita çajnë horizontin si vetëtimë. I shoqërojnë hyjnitë e detit. Shkojnë në mërgim, të përballohen me fatin e tyre.

* * *

Prej dy mijëvjeçarësh tashmë, jetojmë veç e veç. Secili tërhequr në gjithësinë e vet. Dy galaksi që as puqen, as shtyhen. Lundrojnë në boshllëkun kozmik me busullat të thyera.

Përse m’i pushtove ëndrrat këtë fundvit?! Ç’të shkrepi në tru, papritmas? Uhh, ma trallise shpirtin! M’i shtere energjitë. Më përhihesh çdo natë e më puth. Si nëpër pyll, si nëpër tym. Më murmurit fjalë të harruara – premtime në erë. Si nëpër yje, si nëpër NE.

– E di ku do të ridoja të kridhesha pambarim? – më pyet vegimi yt.

– Pa, hë?

– Tek ty, jetë. Tek sytë, tek buzët, tek gusha, tek barku, tek… foleja. Po ti?

– Tek bashkë. – të gjegjem dhe e lë kurmin të lirë, të ma londitin iluzionet.

Thonë që 1 herë në 2000 vjet, Babagjyshi ua plotëson dëshirat edhe të rriturve. Ja përse i shkruajta një kartolinë:

  1. Jepi një busull të pagabueshme, të lutem;
  2. Nxirre nga shtrati i magjistricës e zgjoje nga gjumi;
  3. Pëshpëriti në vesh kodin tonë, ËBMB, që t’i shkrydhen muskujt;
  4. Pikoi dy lotë nga parfumi im, që ta rigjejë rrugën;
  5. Mbrehi kuajt e detit në qerren e artë e yshti të lëshohen trokthi!

* * *

Erdhi përgjigjja! Tryeza e parë karshi detit – e ftuar në gostinë e Babagjyshit. Retë marroke e kanë pikturuar qiellin si një tabllo abstrakte. Ca kordele rozë në përvijim të kontureve, dy-tri gjurmë blu mbi spërkla portokallì dhe një sfond stuhie, vjollcë në gri. Mbi kaçurrelat e valëve, luspat shkëlqimtare lodrojnë si hajmali fati.

Kam nxjerrë nga sepeti takëmet vezullore të përmallimit. Të linjtat e purpurta dhe fustanin me bisht, diademën përrallore dhe këpucët e kristalta. Hijet e së shkuarës dridhen lehtas me tingëllimë diapazoni. Kompozojnë preludin e ringjalljes sime.

Kamarieri po e humbet durimin. Shkon e vjen, më sillet rrotull me menunë në dorë. Më nguc të porosis.

– Pres dikë. – i shpjegoj.

Dollisë «en tête à tête» i mungon pjalmi. Nuk përpiqen kupat nëse janë të zbrazëta.

– Do të prisni gjatë, zonjë?

– Edhe nja 2000 vjet të tjerë…

– A mundeni t’i telefononi, që të vijë pak më shpejt?

Shshttt! Më bëjnë veshët, apo…?! Nga thellomat e horizontit ngrihet lart një rrapëllimë. Shungullojnë detrat; malet oshëtijnë. Një këngë e hidhur kurbeti rrëfen historinë e Poseidonit dhe gjysmës së tij, Amfitritës. Dikush paska ngarkuar në qerren e tij bërthamën e diellit. I ka ngulur në zemër një sfurk me tre dhëmbë dhe e shtyn drejt bregut. Kuajt mitikë të dashurisë kanë palosur flatrat.

Hedh vështrimin nga Babagjyshi që mban në dorë kartolinën time. Cilën dëshirë më ka fshirë nga lista?

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...