Ibrahim Kodra, kur ishte 17 e pak vjeç, ishte “bursjer në kursin e dytë Daltë”. Për shkak të pamundësisë ekonomike, i lutet drejtorisë së Institutit Teknik “Naim Frashëri” në Tiranë, me një kërkesë të nënshkruar më 14 qershor 1935, ta lejojnë që të qëndrojë në internat gjatë pushimeve verore.
Në anën e pasme të fletës së lutjes, shkruar nga një dorë tjetër, ndodhet një tekst që shpjegon rrethanat e jetës së Kodrës në atë kohë: “Familjen e tij e ka pasë në Ishëm të Shijakut, baba vdiq, tash nuk kam (sic.) njeri”.
Ibrahimi u largua nga Shqipëria më 1938, me një bursë të shtetit shqiptar, për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, dhe u bë Mjeshtri Kodra. /Referenca e dokumentit: AQSh i RSh, F. 195, V. 1935, D. 196, fl. 1r+v./
Ibrahim Shaban Likmetaj Kodra lindi në Ishëm më 22 prill 1918, vdiq më 7 shkurt 2006 në Milano ku jetonte prej 30 vjetësh. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Belograd, Nju Jork, krijon raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari, dhe Marotta. Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.