Kthehu për hatër t'hanës/Poezi nga Kaltrinë UKA

Saturday, 26 Janar 2019 09:51

Poezi nga Kaltrinë UKA

Kthehu për hatër t'hanës

Me netë t'tana nuk po flen rahat hana pa neve rojtarët e saj,
s'po bjen n'herezi ma e m'sheft mas reve tinëz t'lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit...

Mu malli po m'rigon si shi e po rri mas grilave,
n'andrrat syqel t'mesnatës n'apogjen e rreme po luhatna
po s'po asht boll
durt mikluese me përvinu kadal ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq

Natë orgjie po baj n'nimfen teme
sarhosh n'theqafjet drejt mirazhit tan po eci
tafti-bafti! edhe t'koft zgrip i jetës, 
imazhi yt joshes po m'babëzit teslim po bahna
se m'asht sekrecion i trupit 
menzi hana po m'nal vikamen harbute kur po shuhesh si meteor
pa mujt me t'nanurisë si du un'

Kallamishte jam ba pa ty, kurm 
suvalë kujtimesh që po m'marrin...
tangjent që m'prek n'pikēn tem t'dobt, n'ty

E vetmja hana po kuis kit eremit naiv e as nuk po kotet
po m'ep stërkalë shpresash që kem me ken bashkë
tymtajë po ma ban menen
shtërzime pa dobi, për mu t'pashpresë!

S'di edhe sa do mahet stoic ky shpirti jem maraz pa ba naj hata
prej mungesës tane napalm...
Mos e shti n'mëkat hanën me ba alibi t'rreme për mu


Veç nji herë

Bahu veç nji herë emni jem

dhe shih cila baladë mesnate ndanë hanën në dysh
kush ma vodhi qetësinë e mbramjeve, qi e kisha kaher;

shih sa dashuni kanë lutjet qi gatuhen për ty 
sa t'çmenduna janë andrrat dhe si i ruj;

shih edhe si pranvera e nalë kangën kur nin' zanin tand t'ambël, 
si e nalë lulimin kur sheh tandin nur!

Bahu veç nji herë emni jem
shih me ç'shpresë rrojnë ndjenjat qi s'po përfillen,
si ngryset dita pritjesh për nji fjalë
me britma t'pafre t'dhembjes e t'heshtjes.

Si ravijëzohet mirazhi yt mendimeve mjegull, shihe patjetër,
si suvala përpin' shpirtin
edhe pse asht i qetë deti

Bahu, emni jem, veç nji herë 
shih sa 'shtirë e baj vet t'plotë hanën 
kur i mungon pjesa tjetër.


I panjohun

M'fal, i panjohun
s'kam menu qi zemra s'ka me ditë m'u mbrojtë
e dashnia ka me fillu me pulsu
veç prej nji casti qi t'pashë

I panjohun,
unë patjetër qi duhet me majt' n'krahë nji mëkat
ferri s'djeg ma shumë 
se qi po djeg kjo ndjenjë mrena trupit
je dashni e dëshirume
neps i madh qi du me shujt
buzë për buzë
trup për trup
le t'më dënojnë e marrojnë Perënditë;
po nëse dashnia asht mëkat
atëherë njeriu vet asht mëkati ma i madh...

Menoj me vete:
kush s'dëshiron me kanë e vetmja dallëndyshe n'sytë e tu
qi i ke si nji hark ylberi e qielli vet?!

M'fal, i panjohun
po fluturat qi po çmenden n'bark
ma nalin frymën
dhe... edhe në u qujt mëkat kjo dashni, do mëkatoj patjetër
ndiej qi s'kam frymë qi m'ban t'plotë pa tanden
dhe as s'kam andërr me lan' përgjys..



Pa ty

Çdo natë ngjaj me natyrën e vdekun
me nji shishe venë e nji gotë
unë pikturë e dehun, pa ty
kornizë që më mban...

E lehtë asht t'largohesh pa marrë kujtimet
vështirë t'i mbash ato pa pas sarkofag t'i futesh
kur natës malli merr flakë

Tavernen kaher e kam braktisun
dehem mendimeve për ty
belbëzimeve motak ju shperren fuqitë t'thurrin lutjen
për shtrengimin e paha t'përqafimit tand

Embrion i dashunisë që u rrit n'vetmi
s'mësoi kurrë gjuhën e lumtunisë...
Ah, si trazohet deti kur dhimbja derdhet në të!

Le t'merr flakë në karthje kjo dashuni 
ku pa za po t'dashunoj
pa za dhimbje po m'sjell..
valët e detit t'marrin udhën e hinit
t'fundoset diademë e maktheve që mban emnin tand...

M'shfaqesh shajni e ngërç m'i jep natës
nihen të çjerrat e saj plot llahtari
shahit kam hanën e yjet e këtij shablloni
ku kujtimeve shtrengatë që shumëfishojnë dhimbjen
ju baj sogje
me shijen e venës e ngjyrat e trishta t'dashunisë t'vdekun
pa kornizën që e mban të gjallë,
pa ty.


Pres

Po i thuri e shthuri ditët prej lamshit t'Penelopes
e vështirë qenka nyja e andrrallave t'harrimit 
Pritjet e gjata 
largësive t'ndame detnave...
as galop s'i m'rrin dashunia ikjet

Netët rrjedhin pagjumësisë deri n'agoni
fjord i mallit në gji të tyne skalitet
qielli ngryset reve t'zeza t'syve
shi i përlotun përvajshëm pret kthimin

Mâj me duer dhimbjen e spazmes të ditëve që u tkurren vetmisë

Po gajasem tu i shtrydh lutjet mi ty
shtrëngata m'shfaqet shpirtit t'trembun
drojë e kam errësirën kur nata s'ndez asnji hanë
përhumbem vegimeve kur m'shfaqesh shajni
e topitun nisem me tallaz të t'prek
m'shperren fuqitë
angështia ma shënjon frymën
duf i ditëve hakërrinë...
kuturisje e kot'...

Tu i thur e shthur ditët pres
që t'vish t'ma matësh syprinen e mallit 
me puthjet e mungume
që s'mi zgjun nadjet e lumtuna
po të dehuna eremit.









 
                                                                                                                                         

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...