Arkeologu francez e krahason Ulpianën me qytetin Pompei

Diel, 27 Janar 2019 16:45

Christophe Goddard, profesori i antikës romake, historiani dhe arkeologu nga Qendra Kombëtare Franceze për Hulumtime Shkencore (CRNS/ENS), një institucion elitar i studimeve të avancuara në shkenca shoqërore dhe dije humane në Francë, ka qëndruar në Kosovë këtë javë, duke zhvilluar ligjërata me studentë dhe takime me homologë të fushës së arkeologjisë. Në një intervistë për gazetën “Zëri” ai ka folur për bashkëpunimet e dy shteteve, Kosovës dhe Francës, në fushën e arkeologjisë. Bashkëpunimi i tij me Kosovën nisi menjëherë pas luftës, kur Goddard ka bërë gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Ulpianës.

Çka ju ka shtyrë ta zgjidhni Ulpianën si mostër tuaj të studimit?
Lokacioni arkeologjik në Ulpianë ishte një zgjedhje e dukshme për arsye të panumërta. Arkeologët francezë me kolegë të këtushëm të rajonit kanë bashkëpunuar në mes vete që nga viti 1953, kur profesor N. Duval, njëri nga profesorët e mi në institutin “Ecole Normale Supérieure”, ndërmori një program arkeologjik në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Slloveni, në qytetin e Siriumit dhe në Caricin Grad. Unë isha me fat që u bëra pjesë e ekipit dhe përfundova temën e doktoratës përgjatë studimit të këtyre zonave në Institutin Francez të Arkeologjisë dhe Historisë në Romë. Këto studime janë të gjitha të bazuara në qytete antike dhe pallate perandorake. Gjithashtu duhet të them që ky bashkëpunim me arkeologë serbë, kroatë e kosovarë na e ndryshoi pikëpamjen që kishim për këtë vend si dhe e kishim mundësi të gjenim prova të antikitetit të vonë dhe të mesjetës.
Për një arkeolog të specializuar në Perandorinë Romake studimet në Ulpianë u bënë thjesht një ëndërr që bëhet realitet.
Është një hapësirë tepër e bukur, tërësisht e ruajtur nga dëme që mund të kanoseshin nga ndryshimet e pashmangshme të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të vet njerëzimit.
Ulpiana është aq antike sa mund të krahasohet me qytetin antik Pompei. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rrallë. Me anë të këtij gërmimi do të mundë ta shohim me sytë tanë evoluimin e qyteteve të Perandorisë Romake në çdo hap të historisë së saj, duke përdorur mjetet më të sofistikuara moderne.
Gjithashtu e dimë me saktësi, për shembull, që problemi kryesor i këtyre zonave kanë qenë vërshimet e ujit, të cilat shkaktonin rrënimin e shpejtë të këtyre lokacioneve.
Këta faktorë natyrorë do ta bëjnë edhe më të vështirë mundësinë për ta analizuar me saktësi gjithë këtë lokacion. Është një faktor i rëndësishëm që shpjegon pse qendra e qytetit u zhvendos në lindje, nga zona arkeologjike e Ulpianës e shekullit të dytë pas Krishtit në lokacionin modern të Graçanicës në Mesjetë. Këta faktorë natyrorë u anashkaluan nga paraardhësit tanë, sepse nuk mundën të bëjnë analizat që ne jemi në gjendje të drejtojmë sot.
Ku qëndron Kosova në nivelin ndërkombëtar për nga vlerat dhe studimet arkeologjike?
Ambienti profesional dhe kulturor në Kosovë është ideal. Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë studiues shumë kompetentë dhe tepër të përkushtuar me reputacion ndërkombëtar. Unë mendoj për prof. Arben Hajdarin (U. i Prishtinës), prof. S. Baraliu (U. i Prishtinës), arkeologët M. Berisha, P. Kabashi, A. Buqinca, P. Alaj, E. Shala. Ka një arsye për këtë. Ndërsa stërvitesha në arkeologji nga dijetarë nga Italia, Britania e Madhe, Kroacia dhe Franca të gjithë kolegët e mi nga Kosova janë trajnuar nga studiues kosovarë, si dhe nga kolegë francezë, gjermanë, austriakë dhe anglezë. Dhe disiplina jonë absolutisht kërkon një trajnim ndërkombëtar. Për arkeologjinë ne të gjithë ia kemi borxh të madh profesoreshës Edi Shukriu nga Universiteti i Prishtinës dhe profesorit Jean-Luc Lamboley nga Universiteti i Lionit. Ata kanë arritur të ndërtojnë një urë të fortë në arkeologjinë midis Francës dhe Kosovës. Me kolegët e mi, profesor Arben Hajdarin nga Universiteti i Prishtinës dhe arkeologun Milot Berisha të Institutit Arkeologjik të Kosovës, në krye të Parkut Arkeologjik të Ulpianës, ne po i ndjekim me përulësi hapat e tyre.
Duhet të shtoj gjithashtu se ne nuk do të kishim mundur të nisim këtë projekt të ri pa mbështetjen e pandërprerë të shkëlqesive të tyre, ministrat K. Gashi, K. Shala, ambasadorët e Francës, M. Daviet dhe D. Chabert, drejtori i përgjithshëm për Trashëgiminë Kulturore V. Aliu, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës E. Rexha, presidenti i Universitetit të Prishtinës M. Dema dhe drejtori i Ecole Normale Supérieure-PSL në Paris M. Mézard. Nëpërmjet projektit tonë vendet tona po tregojnë qartë se e ardhmja jonë e përbashkët mbetet në Evropë.
Të gjitha këto mbështetje në nivelin më të lartë na lejuan të propozojmë një projekt arkeologjik, duke përfshirë një program ndërdisiplinor trajnimi në Paris dhe në Prishtinë për studentë nga Parisi dhe Prishtina, për punonjësit, arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Filluam duke vazhduar programin e shkëmbimit tepër të suksesshëm të nisur nga paraardhësit tanë.
Çfarë ju bëri ta pëlqenit dhe ta studionit arkeologjinë?
Arkeologjia është thjesht mënyra më e drejtpërdrejtë për një historian që të kontaktojë  me një kulturë të lashtë dhe artefaktet e saj. Unë si i specializuar në historinë fetare të Perandorisë Romake po marr detaje nga arkeologjia që autorët e lashtë nuk na kanë dhënë. Arkeologjia është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të punuar me shumë miq dhe kolegë. Ne mësojmë çdo ditë nga njëri-tjetri. Më pëlqen përulësia me të cilën punohet në arkeologji dhe mësimi i studentëve në fushë të hapur është më i këndshëm se ta bësh mësim në klasë.
Ku ngecin arkeologët shqiptarë në këtë fushë të studimit dhe cila do të ishte këshilla juaj për ta?
Kosova është një vend i ri dhe arkeologjia ka nevojë për një gamë të plotë të disiplinave. Ne planifikojmë të mbushim atë që nuk është ende e pranishme në Kosovë me programin tonë të stërvitjes për studentët dhe programin tonë të shkëmbimit për studiuesit, por duhet të kuptojmë se fusha jonë është duke lëvizur shpejt dhe duke përdorur teknika të reja shkencore çdo ditë e më tepër. Ne planifikojmë të trajnojmë sidomos ekspertët e ardhshëm shkencorë (botanistë, kimistë, zoologë, gjeofizikë etj.), janë fusha që duhet të plotësohen me njerëzit më të aftë. Gjithçka po ecën në drejtimin e duhur, sidomos nga Shoqata e Kolegëve nga Trashëgimia Kulturore, Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti, pra në të gjitha projektet arkeologjike që po kryen Kosova. Dionesa Ebibi/Zeri.info

F.jpg

Modifikuar më Diel, 27 Janar 2019 16:47
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...