Milto Kutali çon në Gjirokastër komedinë e Ruzhdi Pulahës

E Enjte, 14 February 2019 16:13

Vepra “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha me regji Milto Kutali do të vijë premierë për publikun në teatrin “Zihni Sako” të qytetit të Gjirokastrës. Në role aktorët e trupës së teatrit të Gjirokastrës, por angazhohen tragjikomedinë dhe të rinj që në vazhdimësi do të jenë pjesë e këtij teatri. Drejtori i teatrit njëkohësisht dhe aktor në vepër Kudret Alikaj tregon se është një vepër që përcjell mesazhe. ““Fqinjët” është ndoshta vepra që flet me shumë dhe për ngjarjet e kohës, për miqësinë, për marrëdhëniet, popujt kanë qenë shumë mirë me njëri- tjetrin, por është politika që i ka trazuar dhe qarqet ndryshme e nacionalizmat e tepruar. Është vepër që i flet bashkëjetesës dhe harmonisë”, tregon Alikaj. Më tej ai shprehet se vepra do të jetë premierë nga mesi i muajit mars në skenën e këtij teatri, por do të jetë më pas dhe në skenat e Tiranës. Në role janë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri. Me regji nga Milto Kutali, skenograf në vepër është Gazmend Koçollari. “Fqinjët” vjen në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën ku ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë. Dramat dhe komeditë e Ruzhdi Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit.  

Login to post comments