Organizohet në Universitetin e Arteve shfaqja “Zgjimi”

Premte, 15 February 2019 14:51

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës, ka organizuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, kërcimin modern “Zgjimi”, ku performuan Guangdong Song dhe Dance Theatre.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Guangdong-ut, i themeluar në vitin 1949, është një prej grupeve më të fuqishme artistike në jug të Kinës. Ky ansambël ka grumbulluar artistët më të talentuar të Kinës në fushat e kërcimit, të muzikës vokale, të dizenjimit të skenës etj. Gjatë këtyre dekadave, ky ansambël ka nxjerrë një numër të madh artistësh të famshëm, ka krijuar dhe ka vënë në skenë një sërë kryeveprash të njohura artistike, koncertet e tij gjithmonë janë mirëpritur dhe duartrokitur nga spektatorët. Ky ansambël gëzon reputacion të mirë dhe jehonë të madhe brenda dhe jashtë Kinës. Kërcimi modern ‘Zgjimi’ përbëhet nga 4 akte. Nëpërmjet simbolikës, personifikimit dhe transformimit të kohës dhe hapësirës, dhe teknikave të tjera artistike, ‘Zgjimi’ shpreh admirimin e lartë ndaj natyrës mistike, respektin ndaj jetës së fortë si dhe pasionin ndaj dashurisë dhe jetës në fshat. Duke u mbështetur tek kërcimi modern, ‘Zgjimi’ ka kombinuar edhe elementin tradicional kinez ‘Taiji’, për të shprehur emocionet dhe mendimet e personazheve në shfaqje. Dizajni modern i skenës, ndriçimi dhe akustika moderne krijojnë një konceptim të mrekullueshëm artistik.

Viti 2019 përkon me 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Kjo shfaqje është një ndër aktivitetet shumta që do të zhvillohen në kuadër të këtij përvjetori, dhe do të shërbejë për nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe njohjen reciproke midis dy popujve tanë dhe forcimin e lidhjeve mes tyre. Meqë ende jemi në periudhën e Festës së Pranverës së Kinës, ‘Zgjimi’ do t’i sjellë popullit shqiptar urimet e vitit të ri. Njëkohësisht sot është edhe Dita e Shën Valentinit, prandaj besojmë se dashuria që shpreh kjo shfaqje do të shtojë edhe më shumë atmosferën romantike të Shën Valentinit të Tiranës.

Login to post comments