Këshilli ekzekutiv i Akademisë së Shkencave zgjidhet më 24 maj

E Enjte, 28 February 2019 14:54

Asambleja e Akademisë së Shkencave në mbledhjen e saj të fundit ndër të tjera thekson se ka dalë nga faza kur shihej si bllokuese e reformave. Akademia shkruan se është në gjendje të vetë reformohet dhe të jetë kontribuese e bashkëpunuese me Këshillin e Ministrave dhe institucionet e tjera, për reformimin e tërë sistemit të kërkimit shkencor e arsimit në Shqipëri, konform misionit të saj të përcaktuar me ligj. “Asambleja e Akademisë së Shkencave nxit Këshillin e Ministrave për miratimin e projekt ligjeve "Për Akademinë e Shkencave", "Për Kodin e Etikës për integritet në kërkimin shkencor" dhe projektligjit "Për shkencën"; Akademia e Shkencave mbështet projektligjin "Për Kodin e Etikës" të hartuar që në muajin mars 2018, si i vetmi mjet për të realizuar një nga kërkesat e studentëve dhe të qarqeve akademike për të luftuar fiktivitetin e titujve dhe të gradave. Kështu ajo bëhet pararendëse e nevojës për pastrim nga fallsiteti e plagjiaturat me mjete ligjore”, shkruan ASH. Po ashtu ASH përshëndet zhlvleftësimin nga Gjykata Kushtetuese të pasojave negative të reformës së vitit 2008, si dhe ofron hapjen e vendeve të lira për rreth 15 akademikë të rinj, vende të liruara prej anëtarëve mbi 75 vjeç. Akademia e Shkencave vijon se do të kryejë misionin e saj nëpërmjet harmonizimit të brezave të studiuesve dhe hapjes ndaj institucioneve të arsimit e kërkimit shkencor etj. Në mbledhjen e datës 26 shkurt ASH vendosi të aprovojë dokumentin “Mbi vazhdimin reformës në Akademinë e Shkencave, kodin e etikës dhe për shkencën për përgjithësi”. Të miratojë amendimin në nenin 14 të Statutit të ASH si më poshtë: Të drejtën e votës vendimore e kanë dhe anëtarët e asamblesë mbi 75 vjeç, kur marrin pjesë në mbledhje. Mospjesëmarrja në mbledhje nuk ndikon në llogaritjen e kuorumi. “Ky ndryshim në zbatim të vendimit nr. 36. datë 15.10. 2007 të Gjykatës Kushtetuese, urdhëruar me vendim datë 30 janar 2019 të Gjykatës Administrative të Shkallës së parë Tiranë: Të miratojë amendimin në nenin 17 të Statutit të ASH si më poshtë: mandati i anëtarit të kryesisë dhe këshillit ekzekutiv vazhdon deri në zgjidhjen e të riut, në çdo rast për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj”, shkruan ASH. Po ashtu ASH vendosi të caktojë 24 majin 2019 si ditën e zgjedhjeve të reja për Kryesinë dhe Këshillin Ekzekutiv për postet që kanë përfunduar mandatin, konform detyrimit ligjor për kryerjen e zgjedhjeve të rradhës brenda kufirit maksimal të parashikuar në ligj dhe statut. Sipas ASH, komisioni i zgjedhjeve i ngritur me vendim nr.1. datë 10 janar të 2019 të shpallë 45 ditë para kësaj date kriteret dhe procedurat e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve.

Login to post comments