"Shërbëtoret", kryevepra e Jean Genet do të shfaqet nesër në mbrëmje në sallë Goethe të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Me aktoret Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri, dhe regji me regji nga Kiço Londo premtohet një shfaqje mbresëlënëse. Ky produksion i takon teatrit të rajonit Elbasan- Korçë. Solanz dhe Kleri janë dy vajza që jetojnë si shërbëtore të brendshme në një shtëpi bashkëkohore të shtresës së lartë.
E përditshmja shtrënguese dhe imponuese, bindja, ndjesia e vazhdueshme e të qënit të mbyllur, marrëdhënia dashurore që zhvillohet ndërmjet tyre gjatë këtyre viteve dhe urrejtja e tyre ndaj pronarëve, krijon një përbërje shpërthyese të çoroditjes seksuale, tërbimit shkatërrues, instiktet vrastare dhe dëshira për rebelim dhe çlirim. Hedhja e tyre e dëshpëruar drejt qiellit, hyn në të njëjtën orbitë me atë të mijëra të rinjve të cilët enden nëpër Metropolet moderne, pa të ardhme dhe shpresë,me rebelimet e heshtura të përditshme dhe trazirat sociale të kohës tonë. Sulmi i Jean Genet kundër çdo gjëje të detyruar takon eksperimentin social, rezistencat molekulare, mendimin dhe veprimin shkatërrues të kohës tonë. “Ndërsa gjithnjë dhe më shumë njerëz në të gjithë botën rebelohen kundër moralit dominues të mërzisë, të bindjes dhe durimit, kundër shfrytëzimit dhe shantazhit që të bëjnë në punë, kundër burgut të përditshëm dhe imponimin e një jeta që nuk e zgjodhëm dhe nuk na përket, zgjedhja e veprës së Jeane Genet për të shprehur frymën e një kohe që është gati të shpërthej, ishte direkte”, thuhet në njoftimin e teatrit.
Më herët në media regjisori Kiço Londo ka pohuar se vjen një shfaqje që është mjaft provokative dhe mund ta ndjekë vetëm një publik mbi moshën 16 vjeç. “Drama është mjaft provokative sepse midis raporteve të dashurisë, të urrejtjes, që kanë ato për të dashurin e zonjës dhe për njëra- tjetrën shfaqja ka një theks që ka të bëjë dhe me shtrembërimin e seksualietit. Fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk lejohet që ta shikojnë këtë shfaqje”, tregon regjisori Londo. Premiera pas skenës së TKE udhëtoi dhe në disa skena të qyteteve të tjera, për tu prezantuar për publikun. Por nesër në mbrëmje shfaqja do të jetë sërish në skenë për publikun në Teatrin Eksperimental.