Unë shkruaj për fëmijët e mi - ta kenë me shkrim se si rrojtëm ne dhe se si nuk duhet të rrojnë ata

Tuesday, 23 Prill 2019 21:31

Lexuesi po shuhet përditë nga injoranca e injektuar. Nuk pres nga njerëz që mbjellin drogë, që helmojnë fëmijët e të tjerëve, që të lexojnë libra. Sepse këta kanë zgjedhur të mos jenë njerëz. Këta ushqejnë fëmijët e tyre dhe vetveten me gjakun e fëmijëve të të tjerëve. Nuk e kam asnjë problem të gjej lexues të tjerë veç këtyre që kam.

 

Bisedë e poetit Petrit Nika me shkrimtarin Rudi Erebara

 

Petrit Nika: Jeni lindur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar në vitin 1971. Tirana përherë është konsideruar si pjesa më nervore e shtetit shqiptar. Me përcaktorin "nervore" dua të nënkuptoj të gjitha ndjeshmëritë. Si e kujtoni ju Tiranën e fëmijërisë suaj? Sa mundësi jua ofroi kjo kryeqendër e jetës shqiptare për t'u ndjerë një qytetar europian, kur ju emigruat më vonë në Amerikë?

Rudi Erebara: Pyetje shumë e plotë. Edhe vetë përpiqem t’i jap përgjigje përmes letërsisë, pikturës, apo aktivizmit politik e shoqëror. Ta nis nga Amerika. Unë ika bashkë me dy piktorë të tjerë të hapnim një ekspozitë pikture, ftuar nga universiteti i High Point, në Karolinën e Veriut. Hapëm tre për fat. Ika sepse në qershor të 1996 kisha një ankth të pashpjegueshëm që më thoshte se në Shqipëri do të ndodhte diçka shumë e keqe. E di që shumë qeshin me parandjenjat, por fatkeqsisht ashtu qëlloi të ndodhë. Mbeta në Amerikë, sepse ndodhi 1997-a, pastaj 1998-a, pastaj lufta që çliroi Kosovën. U ktheva në 2002, në dhjetor, kur pak a shumë ma bloi mendja se gjërat kishin filluar të ndryshonin. Dmth., mund të vazhdohej jeta më normalisht. Janari i vitit 2003 ka qenë një tmerr për mendjen time. Gjithë ditën pa drita. (De)gjeneratorët tundnin dheun nëpër gjithë Tiranën. (!) Një popull i dorëzuar që përpiqej me demek të bënte edhe jetë. Tiranën e fëmijërisë po e shkruaj në romanin “Atdheu sipas formës”. Vlen të kujtoj një fragment. Me sytë e mendjes u ktheva në shkollën "Hoxha Tahsim", ku kam kryer 8-vjeçaren. Mbrapa shkollës, në tokat e familjes sonë, kushurinjve edhe komshinjve, ishte një si parcelë ku bënim ato mësimet e orës së bujqësisë. Pastaj aty vinin darkave bixhozxhinjtë edhe luanin pllakaton ose domino me lekë. Kështu që përherë mësuesja e bujqësisë, e cila kishte qenë mësuesja e rusishtes së hequr në ato kohë, na vinte ta punonim sa herë vinte ora, kot sa për t’u quajtuar, vendet e shkelura nga të rritur e të rinj që kërkonin një ëndërr të dënueshme me burg. Aty ndala dhe fillova të numëroj me mend, duke ndjekur me sytë e mendjes peisazhin me pemë frutore të lagjes. Në fund ishte ish-ambasada kineze, ose ministria e shëndetësisë dhe ajo e jashtme, ndërtuar në bahçet e tiranasve, një pjesë e madhe e gjyshit tim.

I numrova shtëpitë një për një, me rend 360 gradë. Nuk kishte asnjë shtëpi pa një të burgosur a më shumë. Asnjë pa një të vrarë në luftë si dëshmor antifashist, apo si dëshmor pas lufte, antikomunist. Asnjë të vetme. Në Amerikë europianët janë thjesht njerëz që duan të bëhen amerikanë.

Petrit Nika: Si i kujtoni fillimet tuaja letrare në vitin 1990, kur ju botoni për herë të parë në "Zëri i rinisë" dhe më vonë tek e "Për7shme"? A mendoni se e "Për7shme" duhej të kishte vazhduar ende dhe ca kohë?

Rudi Erebara: Unë nuk kam dashur të botoj asgjë kur kam shkruar në atë kohë, sepse shkruaja për vete. U detyrova të botoj me shpresë se mos më dilte shkolla për letërsi, pasi më erdhi thirrja për ushtar. Edhe fletë-thirrja thoshte se do ta bëja ushtrinë në Porto Palermo, në tunel. Xhenio. E zbulova më vonë urrejtjen e pashpjegueshme ende plotësisht të një qelbësire komunist në lagje, kur ma dorëzoi drejtori i arsimit i PD-së në vitin 1992 fletoren me 32 faqe që kishte shkruar ky njeri kundër familjes sime dhe të drejtës sime për arsim të lartë. Sidoqoftë, u rregjistrova për letërsi në vitin 1990, me korrenspondecë, të cilën në atë kohë Ramiz Alia e bëri ditën për një lojë politike.  Gazeta “E për7tshme” ishte një fenomen letrar i lindur në mënyrën më të natyrshme nga koha. Nuk e di si do të bëhej po të vazhdohej më tej. Edhe ne vetë në atë kohë ishim të paqartë. Si njeriu që del nga burgu i gjatë edhe ndodhet përpara faktit se duhet të mësojë makinën, kur sapo e ka lënë botën e tij të mëparshme me karroca me kuaj.

 

Petrit Nika: "Në regjimet totalitare individët janë si thërrmija rëre të padukshëm nga njëri-tjetri. Secili rri në izolimin e vet" - thotë Hannah Arendt. Ju keni shkruar disa vepra me temën e dhunës dhe terrorit të kohës së diktaturës. Njëra prej këtyre veprave , romani "Epika e yjeve të mëngjesit" është vlerësuar në vitin 2017 me çmimin e Europës. A mendon se diktaturat e njëpasnjëshme në shekuj e kanë deformuar disi personalitetin e sociumit shqiptar?

Rudi Erebara: Si diktatura komuniste kurrë. Asnjë nga diktaturat e tjera nuk e ka shpartalluar qenien njerëzore në Shqipëri aq keq sa diktatura komuniste. Diktatura arriti në Shqipëri të kishte një popull të tërë që i gëzohej faktit se i bënte keq njeriut. U ndalua me ligj feja. U varën priftërinjë e hoxhallarë. Diktatura mbarsi tek shqiptarët helmin e helmeve, të zezën më të zezë. Shqiptarët rronin për inat të njëri-tjetrit. Ashtu vazhdojnë edhe sot shumica. Librat e mi, “Vezët e thëllëzave” dhe “Epika e yjeve të mëngjesit”, që janë botuar, si dhe “Atdheu sipas formës” e “Valixhja jeshile”, të cilët nuk i kam mbaruar ende, shpjegojnë pikërisht këtë gjendje. Shpresoj t’i përfundoj shpejt.

Petrit Nika: Arti nuk i shpëton shpirtërat, por ka efekt katarsisi, thoshte Aristoteli. Pra arti dhe format e shprehjes artistike, ku përfshihet edhe letërsia, ndikojnë tek receptuesi përmes një procesi psikologjik identifikimi dhe gjykimi. Kur shkruani ju jeni duke ndërtuar ndërkohë dhe lexuesin tuaj ideal, apo kjo nuk ka rëndësi për ju?

Rudi Erebara: Arti është pasqyrim i njerëzores, i fatit të njeriut dhe i ëndrrës së tij për ta ndryshuar fatin në rrugën e tij të historisë. Kujton njeriu se e bukura, e mira, e drejta, që rrinë aty fiksuar në art janë ajo që njeriu duhet të jetë. Në Shqipëri dhe në gjithë lindjen komuniste, arti u shndërrua në një mekanizëm ideologjik që duhej të mësonte njeriun si duhej të ishte në të kundërtën e vetvetes. Duhej të ishte vrasës. I gjithë arti sovjetik i thotë njeriut se duhet të jetë vrasës. Të vrasë të shkuarën. Armikun. Unë shkruaj për fëmijët e mi. Ta kenë me shkrim se si rrojtëm ne, edhe si nuk duhet të rrojnë ata.

Petrit Nika: Poetët modernë kanë një marrëdhënie edipike me poetët e së shkuarës. Njerëzit e një epoke të caktuar formojnë disa piketa në një moment të caktuar në mendje dhe rrallë ndodh që të ndryshojnë qëndrim. Fjala vjen, mund të dëgjosh nga njerëzit që flasin me simpati për një autor ndoshta të nivelit mesatar, por që ka krijuar për shkaqe të ndryshme prej kohësh një profil publik, dhe një autor të  nivelit më të lartë bashkëkohor, as denjojnë ta lexojnë. A është kjo arsyeja e kësaj marrëdhënieje edipike midis autorëve të një brezi me ata të një brezi të mëparshëm? Çfarë e pengon letërsinë bashkëkohore shqipe të pas viteve "90, të dalë nga eklipsi i letërsisë së para viteve "90?

Rudi Erebara: Lexuesi. Lexuesi po shuhet përditë nga injoranca e injektuar. Nuk pres nga njerëz që mbjellin drogë, që helmon fëmijët e të tjerëve, që të lexojnë libra. Sepse këta kanë zgjedhur të mos jenë njerëz. Këta ushqejnë fëmijët e tyre dhe vetveten me gjakun e fëmijëve të të tjerëve. Nuk e kam asnjë problem të gjej lexues të tjerë veç këtyre që kam. Lexuesit e mi janë po ata që kanë lexuar gjithmonë edhe nuk mbjellin drogë as nuk vrasin njerëz. Jemi të gjithë të rrezikuar sot nga krimi, siç ishim të rrezikuar nga vdekja në diktaturë. Nuk shoh ndonjë dallim të madh mes hetuesve dhe sigurimsave të diktaturës dhe kriminelëve të sotëm. Thjesht t’i shohësh nga vijnë si familje e kupton pse janë ata që janë. Janë lindur ashtu e janë rritur ashtu. Të kryejnë krim. Lum kush e kupton e shpëton.

Petrit Nika: Njerëzimi në kohë të lashta shprehej përmes vizatimeve të thjeshta, disa prej të cilave janë ndoshta mbi 50 mijë vjeçare. Më pas erdhi teksti. Tani jetojmë në epokën e hipertekstit. Eshtë një rrugë tmerrësisht e gjatë. Ne jemi ai brezi që po e përjetojmë këtë realitet. A është ky moment, pikërsiht ajo koha që shënon vdekjen e letërsisë në dallgët multimediale të oqeanit të internetit?

Rudi Erebara: Në kohët e lashta piktura ishte tekst. Pastaj në Egjiptin e lashtë, figura ishte germë. Komunikim dhe trashëgimi janë të gjitha. Përcjellje e historisë në një mënyrë. Edhe sot ka njerëz që e lexojnë piramidën shenjë për shenjë si një fjali. A do t’i lexojë njeri pas 100 vjetësh komentet tona në Facebook, apo të tjera? E dyshoj. Letërsia u shpik që njerëzit të lexonin Biblën. Është një shpikje e vonë e njerëzimit. Relativisht. Por një shpikje e madhe. Është e barabartë me piramidat, si shenjë e përjetësisë së njerëzimit.

Petrit Nika: Shekulli XX shpalli vdekjen e Zotit dhe rënien e utopive. Pothuajse gati gjithë bota në epokën tonë qeveriset nga plutokracia. Mbi çfarë baze intelektuale dhe morale duhet ta ndërtojmë jetën tonë të përbashkët?

Rudi Erebara: Njeriut iu desh të shkojë në Hënë edhe aty ta kuptonte se sa më i madh se universi vetë është Zoti. Mirëpo njeriu harron. Lind, harron, pastaj vdes. Pas vdekjes nuk e di çfarë ndodh. Sipas varreve, ateistët dhe teistët thonë se na hanë krimbat. Se njeriu ka ardhur nga majmuni. Por nuk pranojnë të ngordhin si majmunë, apo të rrojnë si kafshë. Edhe komunisti më komunist, thotë, ëndërron, edhe ndoshta punon për shoqërinë sublime. Këta unë i quaj të pashpëtueshmit. Sepse vazhdojnë gjithë jetën të kryejnë krim ndaj vetes dhe të tjerëve me shpresën se nuk ka Zot dhe nuk ka ndëshkim. I ngushëllon besimi se kur t’i hanë krimbat nuk do të kenë më dhimbje.

Jeta jonë e përbashkët është pikërisht dhimbja. Nuk duhet të shkaktojmë dhimbje. As ndaj vetes as ndaj të tjerëve. Për këtë njerëzimi shpiku ligjet. Nuk ka asnjë ligj që të thotë psh., se kështu duhet të jetë bukuria në art. Vetëm në diktatura bukuria përcaktohej me ligje, të cilat e bënin artin dhimbje, një gjellë e detyrueshme për masat.

Petrit Nika: Ka zëra që kanë pohuar dhe ende  vazhdojnë të pohojnë se letërsia mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në personalitetin e lexuesit, madje dhe në kulturën dhe shoqërinë e një vendi. Nga ana tjetër shkrimtarët dhe poetët në përgjithësi e mohojnë rolin edukativ të letërsisë. Ju si mendoni?

Rudi Erebara: Letërsia dhe artet flasin nga shpirti dhe për shpirtin. Shpirti nuk ka moral. Sepse shpirti nuk e njeh të keqen. Njeriu përmes arteve dhe letërsisë përpiqet të krijojë një kod komunikimi, një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, që njihet në shoqëri si moral. Edhe pastaj ky moral ndahet në Hamlet, ose e kundërta, Mein Kampf. Lufta e Hamletit, apo Lufta Ime!

Petrit Nika: Para se ta mbyllim do donim të mësonim diçka lidhur me projektet tuaja letrare të afërme.

Rudi Erebara: Po shkruaj një roman të cilin e kam fshirë disa herë këtë vit. Besoj ta mbyll mirë. Titullohet “Dyqani i problemeve”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...