Skulptori Genti Tavanxhiu është përzgjedhur mes artistëve të ndryshëm nga bota për të marrë pjesë me veprën e tij në bienalen BenQ në Taiwan. I vlerësuar me aktivitetin e tij në shtete të ndryshme të botës, këtë herë skulptori shqiptar do të jetë pjesëmarrës në këtë bienale. Skulptori tregon se vepra më të cilën do të prezantohet në muajin nëntor është pjesë e koleksionit të ri të 2019. “Simpoziumi i skulpturës, ku jam përzgjedhur, mes 260 artistëve të cilët konkurruan në shkallë ndërkombëtare, përmban me sukses tashmë edicione të shumta në ishullin e largët të Azisë. Vepra me të cilën jam prezantuar në bienalen e BenQ-s në Taiwan është pjesë e koleksionit të ri 2019, akoma e parealizuar në shkallë monumentale. Ajo është vazhdimësi e serisë së skulpturave, të cilat kanë karakterizuar karrierën time artistike në vitet e fundit dhe gjithashtu ka theksuar stilistikën time duke formuar një profil personal”, tregon skulptori. Skulptura titullohet “Për vete”, por skulptori Genti Tavanxhiu tregon se ka disa arsye dhe titulli. “Ndërmjet artit shprehim atë që ndjejmë pavarësisht nga kërkesat e një publiku, pasi parimet që karakterizojnë një vepër arti lindin pikërisht nga kërkesat personale e artistit, dhe jo nga ajo që “kërkohet”. I lirë nga imponimet, arti shprehet në forma më efikase dhe plotëson kërkesën për të promovuar të renë”, tregon skulptori. Në periudhën tetor-nëntor ftohen artistët pjesëmarrës që të realizojnë me përmasa në mermer veprat e tyre, ku do të jetë dhe skulptor shqiptar Genti Tavanxhiu. Aktivitetet e 2019 në të cilat ka qenë pjesëmarrës deri tani skulptori Genti Tavanxhiu janë ekspozita personale në Kobe, Japoni; simpoziumi i skulpturës në Riyadh në Arabi Saudite, gjithashtu një ekspozitë kolektive në Adana në Turqi. Në lidhje me aktivitetin e tij skulptori tregon se është në përgatitje dhe për Simpoziumin e Skulpturës në Korçë. “Këtë vit do të mbahet edicioni i dhjetë, pra një dekadë me skulpturën e parkut, aktivitet që kam kuruar me shumë pasion si drejtor artistik duke ftuar në Korçë artist nga e gjithë bota. Është krijuar një muze (open air) tek parku Rinia, me ndërhyrjen e arkitektit Peter Wilson dhe natyrisht falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së plotë të Bashkisë Korçë, e cila ka promovuar me shumë vëmendje këto vlera dhe duke e bërë këtë një ndër aktivitetet me afatgjatë që janë promovuar në Shqipëri”, shprehet skulptori Genti Tavanxhiu.