“Lapsi i Memories”, me vizatime nga Anastas Kostandini

E mërkurë, 19 June 2019 12:48

"Lapsi i memories" titullohet ekspozita me vizatime të artistit Anastas Kostandini, që u çel për publikun në galerinë e artit në qytetin e Pogradecit. Ekspozita përmban 100 vizatime të punuara nga artisti i njohur, i cili këtë sezon ekspozitën e radhës e ka çelur në qytetin  tij. Piktori shprehet se kjo ekspozitë ishte dhe në kuadër të sezonit artistik në këtë qytet që u çel këto ditë. “Ekspozita është me 100 vizatime kushtuar kryesisht jetës dhe mjediseve të Pogradecit. Kjo ekspozitë ishte një nga eventet kulturore  me të cilat u shënua dhe sezoni artistik”, shprehet piktori Anastas Kostandini (Taso). Peisazhe, panoramat, mjediset dhe rrugicat e qytetit janë krijuar nga përditshmëria në kohë të mirë dhe të keqe, dimër e verë nga një piktor që nuk i ndahet qytetit të tij dhe në këtë kohë ikjeje dhe emigrimi. Tabloja e përditshmërisë synon të zbulojë intimitetin me vizatimet dhe detajet. Kështu ky qytet ka rastin të tregojë diçka, që nuk e thotë dot. Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Pogradec. Megjithëse në bardh e zi, ngjyra është e pranishme përmes trajtimit të vizatimeve. Në reagimin e tij, piktori vijon se gjatë 40 viteve të krijimtarisë së tij të pandërprerë në art, veç mijërave pikturave, pjesa më e shumtë e të cilave janë shpërndarë ngado në botë, koleksioni i vizatimeve që ka krijuar është ende i pashpërndarë. “Ato pjesërisht janë blerë nga koleksionistë me sqimë dhe të kujdesshëm, mirëpo pjesa më e madhe e morisë së tyre ende ndodhet nëpër kuti dhe dosja të panumërta, si dhe në blloqe vizatimi apo dosje udhëtimesh. Në to ruhen farat e tablove dhe grafikave të mundshme për tu krijuar në të ardhmen siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, përshembull pas një skice të thjeshtë ka lindur një tablo e madhe për mua si skena tragjike e “Borovës martire”, “Mësonjëtorja e parë shqipe”, etj”, shprehet më tej piktori i njohur. Anastas Kostandini ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1978. Tema e preferuar e veprave të tij janë peisazhet sociale e poetike nga jeta e përditshme, natyra psikologjike e qytetit të lindjes Pogradecit të cilin ai e njeh në thellësi, si dhe kompozimi nga traditat e vendlindjes. Me një krijimtari të pasur në pikturë Anastas Kostandini sot është një nga artistët më të vlerësuar në vend.

lapsi_i_memories_kostandini_faqe_19-2.jpg

Login to post comments