Mbyll xhirimet filmi “Rrëfimi i një vrasësi me pagesë”

E Enjte, 20 June 2019 08:22

Filmi "Rrëfimi i një vrasësi me pagesë", me skenar nga Vladimir Prifti dhe regji nga Klajd Papadhimitri ka mbaruar xhirimet. Filmi sjell në role aktorë të njohur dhe është projekti më i fundit i regjisorit Klajd Papadhimitri në fushën e kinematografisë. Nuk është hera e parë që regjisori Klajd Papadhimitri punon me skenar nga Vladimir Prifti. Më parë ishte filmi “I ardhur nga ëndrrat” dhe tashmë është realizuar projekti kinematografik “Rrëfimi i një vrasësi me pagesë”. Regjisori Klajd Papadhimitri shprehet se xhirimet për këtë film janë bërë në Tiranë, por dhe në zonën e Shëngjinit. Rolet në filmin e tij regjisori Klajd Papadhimitri tregon se ia ka besuar dy aktorëve të njohur Genti Kame dhe Amos Zaharia. “Xhirimet kanë mbaruar dhe janë bërë në zonën e Shëngjinit dhe në Tiranë. Genti Kame vjen në rolin e prokurorit dhe Amos Zaharia në rolin djalit vrasës”, pohon regjisori Klajd Papadhimitri. Ndërsa si skenarist Vladimir Prifti shprehet se ngacmimi për të shkruar skenarin ka ardhur nga ngjarjet, që kanë ndodhur në vendin tonë. “Tani janë përhapur shumë vrasjet me pagesë, sidomos në moshën e rinisë, të cilët kanë pasur një të kaluar të dhimbshme të jetës familjare edhe mbërrijnë në një moment tepër kompleks dhe të vështirë. Me një shumë jo të madhe parash 20 mijë euro eliminojnë njerëz, që kanë lidhje me biznese, etj”, tregon skenaristi Vladimir Prifti vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij në fushën e kinematografisë ndër vite. Film “Rrëfimi i një vrasësi me pagesë” është një projekt i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Për skenaristin Vladimir Prifti të punosh me regjisorin Klajd Papadhimitri është shumë mirë, sepse është krijuar një grup që kanë mjetet për të bërë punën e duhur, kur dihet që realizimi i një film sot ka mjaft vështirësi. “Me Klajdin kam bërë dhe filmin “I ardhur nga ëndrrat”, pra po me këtë grup. Dionis Papadhimitri punon si producent ekzekutiv dhe Spartak Papadhimitri që është operator si dhe regjisor Klajdi. Por këta kanë mjete dhe filmi është bërë jashtëzakonisht i vështirë, nuk është kollaj të xhirosh film sot”, tregon skenaristi i njohur Vladimir Prifti.

Login to post comments